Pas largimit nga Ukraina për shkak të luftës, gazetarja ukrainase Iryna Synelnyk gjeti strehë dhe vazhdimësi profesionale në Kosovë, përmes programit “Journalists in Residence – Kosovo”.
Nga një vend për të cilin dinte shumë pak, Prishtina u shndërrua në shtëpinë e saj të dytë.
Përvoja e jetesës, mikpritja e qytetarëve dhe ngjashmëritë historike mes dy vendeve e ndihmuan të përshtatet me kulturën, traditat dhe realitetin kosovar duke vazhduar njëkohësisht raportimin për luftën në Ukrainë dhe sfidat e gazetarisë në kohë konflikti.
Iryna Synelnyk është një gazetare ukrainase e cila para luftës jetonte në qytetin Chernihiv në veri të Ukrainës.
Ajo ka punuar për shumë vite në agjencinë informative UNIAN.
Aktualisht Iryna punon si gazetare për media ukrainase dhe të Chernihivit dhe mbulon çështje sociale, ekologjike, kulturore, si dhe tema që lidhen me luftën bashkëkohore ruse në Ukrainë.
Ajo ka doktoraturë në Histori nga Instituti i Historisë së Ukrainës. Gjithashtu është aktiviste dhe bën pjesë në ekipin që që nga viti 2015 ka zbatuar buxhetin pjesëmarrës ose qytetar në qytete dhe komunitete ukrainase.
Në intervistën për “Front Online”, korrespondentja ukrainase na tregoi për përvojën e saj të jetesës në Kosovë, si e zbuloi një kulturë të re dhe traditat shqiptare, si dhe çfarë është gjëja kryesore që i mungon larg shtëpisë.
Intervista e plotë:
Si ishte përvoja juaj e parë kur arritët në Kosovë dhe si ishte procesi i përshtatjes me kulturën, gjuhën dhe traditat lokale?
Iryna Synelnyk: Në vitin 2011 pata një praktikë në Universitetin e Varshavës në Poloni. Ishte një kohë e mrekullueshme dhe njëri nga profesorët ligjëroi për Ballkanin. Ai tregoi shumë fotografi nga udhëtimet e tij në shumë vende ballkanike. Unë u mahnita dhe mendova se do të ishte e mrekullueshme t’i vizitoja këto vende të bukura. Dhe nuk mund ta imagjinoja që ëndrra ime do të realizohej, por gjatë një kohe të tmerrshme për mua dhe vendin tim.
Kur filloi lufta e madhe më 24 shkurt 2022 – është e rëndësishme të theksohet se lufta në Ukrainë ka zgjatur që nga viti 2014 – unë u largova nga qyteti im dhe kalova gjashtë javë me familjen e motrës sime në qytetin e vogël Lyubech pranë kufirit me Bjellorusinë. Territori përreth nesh ishte i pushtuar nga Ushtria Ruse. Ndoshta patëm fat që trupat ruse nuk e pushtuan vendbanimin tonë. Në atë kohë u shqetësova shumë për familjen time, sepse kur kishim energji elektrike dhe internet vazhdova të punoja për median time. Kontaktoja miqtë dhe kolegët e mi në Chernihiv dhe raportoja për atë që po ndodhte atje.
Pas çlirimit të rajonit tim vendosa të aplikoj në programin për gazetarët ukrainas “Residence in Kosovo”. Ky projekt u themelua nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (Gjermani) dhe Qeveria e Kosovës. Ai po zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Unionin Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës.
Në korrik 2022 arrita në aeroportin e Prishtinës. Sinqerisht, dija pothuajse asgjë për Kosovën. Të vetmet gjëra që kisha dëgjuar ishin se lufta kishte qenë në vitet ’90 në këtë vend dhe se paqeruajtësit ukrainas kishin qenë në Ballkan. Pas dy ditësh udhëtimi isha e rraskapitur, por u prita shumë ngrohtësisht nga kolegët e mi nga AGK-ja, ECPMF-ja dhe autoritetet e Kosovës. Kjo ishte shumë e këndshme për mua. Që atëherë kam zbuluar Kosovën dhe popullin shqiptar, si dhe kulturën, gjuhën dhe traditat e tyre. Prishtina tani është shtëpia ime e dytë, pasi kam jetuar këtu për më shumë se tre vjet.
Cilat janë gjërat që ju kanë bërë më shumë përshtypje në jetën e përditshme këtu?
Iryna Synelnyk: Gjithçka në Kosovë është ndryshe nga Ukraina. Dua të them natyra, kultura, ushqimi, traditat, por gjithmonë më kanë bërë përshtypje njerëzit lokalë. Ata janë të sinqertë, mikpritës, miqësorë, me zemra të hapura. Gjëja që më ka impresionuar më së shumti është mbështetja për popullin ukrainas dhe Ukrainën.
Në shkurt 2023, një vit pas pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës, po ecja në bulevardin Nënë Tereza dhe kudo kishte flamuj ukrainas dhe banderolën “Free Ukraine” në murin e Hotelit Grand. Ishte shumë prekëse për mua sepse ndjeva trishtim dhe gëzim në të njëjtën kohë. Trishtim sepse lufta në Ukrainë vazhdonte dhe gëzim sepse nuk jemi vetëm.
Kam ndjerë shumë mbështetje nga njerëzit e Kosovës. Kur njerëzit, qoftë në rrugë apo në zyrat qeveritare, thonë “ne ju kuptojmë”. Kjo është plotësisht e vërtetë, sepse ju keni pasur një luftë të përgjakshme në vitet 1998–1999, ju ishit në vendin tonë. Dhe edhe tani Serbia nuk i njeh krimet e luftës dhe Kosovën si shtet të pavarur. Ne kemi shumë të përbashkëta gjatë luftës në Ukrainë.
Si është të punosh si gazetare e huaj në Kosovë?
Iryna Synelnyk: Falë programit “Residence in Kosovo” unë jam e sigurt dhe kam gjithçka që më nevojitet për punën time. Rastësisht, njerëzit shpesh më pyesin se si punoj.
Që nga koha e COVID-it kemi punuar në distancë dhe për mua kjo praktikë po vazhdon. Kontaktoj kolegët dhe protagonistët e artikujve të mi përmes telefonit ose Zoom-it.
Dhe duke qëndruar në Kosovë kam mundësi të shkruaj për përvojën tuaj të luftës dhe periudhën pas luftës.
Kam shkruar për tema të ndryshme që janë relevante për audiencën ukrainase tani, për shembull për dhunën seksuale gjatë luftës, personat e zhdukur, krimet e luftës, procesin e deminimit. Për temën e fundit, dy herë kam vizituar shkollën e deminimit MAT Kosovo në Pejë.
Fillova të shkruaj në anglisht, gjë që u bë e mundur pas kurseve të gjuhës angleze që u ofruan nga JRS (një organizatë që mbështet refugjatët) në shkollën Britannica.
Përveç gazetarisë, përpiqem të bëj disa aktivitete me kolegët e mi ukrainas. Më pëlqen të takohem me studentë kosovarë. E vlerësoj çdo mundësi për të folur për situatën në Ukrainë, historinë dhe traditat tona.

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur në terren apo gjatë raportimit tuaj?
Iryna Synelnyk: Mendoj se sfida më e madhe gjatë raportimit tim është propaganda dhe dezinformimi rus. Ne po jetojmë në një kohë kur njerëzit janë të hutuar nga sasia e informacionit. Ndonjëherë është e vështirë të kuptosh se çfarë është e vërtetë. Supozoj se kjo është pasojë e luftës hibride ruse që ajo e ka zhvilluar kundër vendeve perëndimore për shumë vite. Prandaj, është shumë e rëndësishme të përdoren burime të besueshme informacioni dhe të verifikohen lajmet, veçanërisht ato nga rrjetet sociale.
Kam pasur përvojën time me ndikimin e propagandës. Në vitin 2023 u bëra shënjestër e propagandës ruse dhe tani e di se kjo ishte pjesë e fushatës së dezinformimit Doppelgänger.
U krijuan faqe të rreme në emër të agjencisë informative UNIAN, të cilat publikuan disa artikuj ku u keqpërdor dhe u përfshi emri im. Unë i njihja të paktën dhjetë prej këtyre artikujve që përhapnin propagandë të Kremlinit. Unë nuk i kam shkruar këto tekste. Në botën digjitale, askush nuk është i sigurt nga keqpërdorimi i emrit apo të dhënave personale për qëllime keqdashëse.
A ndryshon ritmi i punës suaj këtu nga ai në vendin tuaj?
Iryna Synelnyk: Nuk mund të them se ritmi i punës sime këtu është i ndryshëm nga ai në Ukrainë. Unë vazhdoj të punoj dhe të zhvilloj aftësitë e mia profesionale. Këtë vit mora pjesë në trajnimin e BIRN-it. Vitin e kaluar mora pjesë në SDG Media Camp në Moldavi, Poloni dhe Gjermani, i cili kishte të bënte me transformimin ekologjik dhe ndryshimet klimatike. Gjithashtu kemi shumë trajnime profesionale që janë ofruar nga AGK-ja.
Falë njohurive të reja dhe përvojës, fillova të merrem edhe me investigime. Jam e sigurt se kjo është e rëndësishme edhe gjatë luftës.
A ka ndonjë histori apo raport nga puna juaj në Kosovë që ka mbetur me ju?
Iryna Synelnyk: Gazetarët ukrainas dhe unë, gjithashtu, bashkëpunojmë shumë ngushtë me Qendrën e Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës (KRCT) dhe me drejtuesen e kësaj organizate, doktoreshë Feride Rushiti. Kam shkruar për dhunën seksuale gjatë luftës për mediat ukrainase. Këto histori nuk duhet të ndodhin askund.
Fatkeqësisht, këto krime lufte janë kryer në territoret e pushtuara në Ukrainë. E intervistova Feriden dhe e pyeta se si Ukraina mund t’i shmangë gabimet e Kosovës pas luftës. Gjithashtu e ftova Feride Rushitin të ndajë përvojat e saj me gazetarët ukrainas. Me kolegët e mi nga OJQ-ja Association for Democracy Development zbatuam projektin për mbështetjen e njerëzve të mbijetuar dhe çfarë lloj ndihme mund të marrin ata.
Kam në plan të shkruaj për gratë e Krushës në Kosovë, sepse përvojat e tyre dëshmojnë se edhe me humbje mund të gjesh forcë dhe të rritesh. Mendoj se është një histori frymëzuese edhe për gratat ukrainase.
Dhe kam një ëndërr që të publikoj të gjitha historitë e mia nga Kosova në ukrainisht dhe anglisht, sepse do të doja t’ua zbuloja përvojën tuaj të luftës njerëzve në Ukrainë. Fatkeqësisht, Ukraina ende nuk e njeh Kosovën dhe shumë ukrainas nuk dinë për luftën në Kosovë. Madje, një pjesë e madhe e informacionit vjen nga burime ruse dhe serbe. Dhe shumë shpesh ka narrativa propagandistike.
Si do ta përshkruanit mikpritjen dhe komunikimin me njerëzit lokalë?
Iryna Synelnyk: Kam shumë miq shqiptarë. Ka njerëz që i njoh nga takime dhe ngjarje të ndryshme. Ndonjëherë pimë kafe. E di që kjo është si një ritual për vendasit. Gazetarët ukrainas dhe unë e pëlqejmë macchiato-n në kafenetë e Prishtinës. Mund të bëj një porosi në shqip, por në përgjithësi flas anglisht, pasi gjuha shqipe është e vështirë për mua.
Fqinjët e mi herë pas here më ftojnë për çaj. E vlerësoj mikpritjen e popullit shqiptar dhe ndihem mirënjohëse ndaj tyre sepse mbështetja dhe ndihma e tyre është shumë e rëndësishme për ne. Besoj se pas luftës do të jem në gjendje t’i ftoj ata në Ukrainë dhe do të kem mundësinë t’u tregoj Kievin, Chernihivin, Lvivin, Odesën dhe qytete të tjera të bukura ukrainase.
Çfarë ju mungon më së shumti nga Ukraina ndërsa jetoni këtu?
Iryna Synelnyk: Më mungojnë njerëzit e mi të dashur dhe miqtë. Mbesa ime ishte një vjeçare kur u largova nga Ukraina, tani është katër vjeçe. Ne komunikojmë online, por kjo nuk zëvendëson kontaktin e drejtpërdrejtë. Çdo ditë e imja fillon me leximin e lajmeve nga Ukraina dhe Chernihivi. Tani situata në qytetin tim është shumë e rrezikshme. Jam e shqetësuar për të afërmit e mi.
Më mungojnë gjithashtu librat e shtypur në ukrainisht. Sigurisht, mund të lexoj online. Por kur merr një libër të shtypur, e nuhat, i kthen faqet – është një ndjesi krejtësisht tjetër.
Kur më mungon ushqimi ukrainas, gatuaj borsh – një pjatë tradicionale ukrainase – dhe ftoj miq.
Si i festoni zakonisht festat e fundvitit dhe si ndryshojnë ato nga traditat në Ukrainë?
Ukrainasit tradicionalisht festojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Prej disa vitesh i festojmë Krishtlindjet më 25 dhjetor, bashkë me pjesën tjetër të Evropës.
Në fund të dhjetorit kishte shumë festa në Chernihiv, pasi të gjithë takoheshin me kolegë dhe miq në kafene ose restorante. Por Krishtlindjet dhe mbrëmjen e Vitit të Ri shpesh i festonim me familjen në shtëpi.
Kjo ishte para luftës së madhe. Kishim një jetë shumë të lumtur dhe nuk e vlerësonim mjaftueshëm. Mendonim për dekorimin e shtëpisë dhe dhuratat për të dashurit. Por tani shumica e ukrainasve nuk janë në humor për festime. Në qytetin tim nuk ka një bredh të Krishtlindjeve në qendër, sepse pati një raketë ruse që goditi teatrin dhe shumë njerëz vdiqën. Për më tepër, në aleun aty pranë ka një memorial për heronjtë e rënë. Dhe tani banorët e qytetit tim kanë një problem të madh me energjinë elektrike. Pas sulmeve të ushtrisë ruse ndaj infrastrukturës energjetike vjeshtën e kaluar, njerëzit jetojnë pa energji elektrike 12–14 orë në ditë.

A i shijoni festimet e fundvitit në Kosovë? Çfarë ju duket më interesante tek ato?
Iryna Synelnyk: Festimet e fundvitit në Kosovë janë shumë të ngrohta dhe familjare. Dua të besoj në mrekulli dhe ëndërroj për një fitore ukrainase, por ajo ende nuk ka ndodhur. Nuk është një kohë e lehtë për mua sepse jam larg shtëpisë dhe familjes sime.
Megjithatë, ukrainasit në Kosovë janë aktivë dhe në dhjetor morëm pjesë në një ngjarje bamirësie që u organizua nga misioni EULEX. Së bashku me njerëz nga vende të tjera, mblodhëm para për fëmijët e Shërbimit Onkologjik Pediatrik.
Gjithashtu, dëshirojmë të ndajmë informacione për traditat ukrainase të Krishtlindjeve dhe së bashku me Shtëpinë Evropiane në Kosovë do të organizojmë një mbrëmje ukrainase të Krishtlindjeve në Prishtinë. Ne duam të ndajmë traditat tona dhe ta festojmë këtë kohë magjike me miqtë tanë.











