Nga bojkoti në rikthim, Janjiq: Vuçiq po luan me Perëndimin përmes Listës Serbe, një paradoks politik

Rikthimi i Listës Serbe në zgjedhjet lokale të Kosovës që do të mbahen më 12 tetor, sipas analistit serb Dushan Janjiq, dëshmon politikën paradokse të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023 në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës u bojkotuan nga Lista Serbe, e cila u bëri thirrje qytetarëve serbë të largoheshin nga institucionet. Postet e kryetarëve të komunave në veri mbetën bosh në nëntor 2022, kur përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e targave serbe dhe zëvendësimin e tyre me targa të Kosovës.

Megjithatë, në këto zgjedhje lokale, Janjiq thotë se kjo parti po rikthehet në garë me mbështetjen e vetë presidentit Vuçiq, duke “legalizuar” një situatë të krijuar nga ky bojkot, raporton KP.

Sipas tij, kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë politike, ku Vuçiq përdor Listën Serbe jo vetëm për të konsoliduar pushtetin e tij në veri të Kosovës, por edhe si kartë negociuese me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

“Në mes të një krize të thellë, ku rreziku është shumë i lartë që ai të mos jetë president deri në tetor, Vuçiq vazhdon të mbështesë dhe shtyjë Listën Serbe të paraqesë anëtarët e saj si kandidatë për zgjedhjet lokale.

Paradoksi qëndron në faktin se zgjedhjet lokale të mëparshme u bojkotuan nga Lista Serbe, e cila i thirri njerëzit të largoheshin nga katër komunat në veri të Kosovës. Lista Serbe dhe media e Vuçiqit i ftuan qytetarët të largohen nga institucionet. Tani, në zgjedhjet e ardhshme, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, Vuçiq legalizoi këtë situatë të re, e cila u krijua ndërkohë në veri të Kosovës. Kjo është me të vërtetë paradoksale. Jam i sigurt se kjo nuk është fytyra e vetme e politikës së Vuçiqit. Kjo përfshin edhe lojën e tij me Shtetet dhe Bashkimin Evropian. Tani po përdor Listën Serbe”, thotë Janjiq për KosovaPress.

Lista Serbe do të garojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot. Vetëm për asamble, kjo parti do të jetë në garë në Gjilan, Istog, Klinë, Lipjan, Obiliq, Fushë Kosovë, Dardanë, Vushtrri dhe Pejë.

Ndryshe, në këto zgjedhje lokale Lista Serbe, e cila ka deklaruar se do të garojë me miratimin e Serbisë, do të sfidohet nga rreth 10 parti tjera. /KP/

The post Nga bojkoti në rikthim, Janjiq: Vuçiq po luan me Perëndimin përmes Listës Serbe, një paradoks politik appeared first on Kosovapost.net.