Na ndajnë vetëm disa orë nga zgjedhjet komunale të 12 tetorit, dhe gara pritet të jetë e ashpër në shumicën e komunave të vendit. Megjithatë, disa komuna kanë zgjuar veçanërisht interesin e qytetarëve gjatë fushatës – disa për programe, disa për guximin e kandidatëve, e disa të tjera për përplasjet e brendshme që i shoqëruan.
Cilat komuna morën fokusin kryesor të publikut gjatë kësaj fushate?
Prishtina
Si kryqytet i Kosovës dhe komuna me popullsinë më të madhe, në çdo cikël zgjedhor, Prishtina ngjall interesin më të lartë të qytetarëve. Në këtë komune pritet një garë e tejet e ngushtë mes kandidatëve: Përparim Rama, Uran Ismaili dhe Hajrulla Çeku nga radhët përkatësisht të Lidhjes Demokratike, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në zgjedhjet e kaluara komunale të mbajtura në vitin 2021, Përparim Rama triumfoi ndaj kundërkandidatit nga radhët e Vetëvendosjes, Arben Vitia, pasi paraprakisht e çoi në balotazh. Në një duel garë të ngushtë, Rama siguroi 41 mijë e 746 vota, kundrejt 40 mijë e 143 të zotit Vitia.
Megjithatë, surpriza e vërtetë e zgjedhjeve të 2021-ës në Prishtinë ishte PDK-ja, përkatësisht kandidati Uran Ismaili, i cili kishte arritur të sigurojë plot 18,771 vota, apo 21.69 për qind, duke u pozicionuar i treti. Krahasuar me performancën e zgjedhjeve paraprake komunale, PDK pati performancë të lartë.
Rama aspiron për një mandat të dytë si kryetar i Prishtinës, pasi udhëhoqi kryeqytetin që nga viti 2021. Pas disfatës që pësoi Arben Vitia, Vetëvendosje vendosi që të kandidojë ish-ministrin e Kulturës në Qeverinë Kurti 2, Hajrullah Çekun.
Kandidatë veçanërisht interesantë me fushatat e tyre përkatëse kanë qenë edhe Besa Shahini nga radhët e Partisë Socialdemokrate dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Zonja Shahini tërhoqi vëmendje të veçantë për programin që fokusohet në adresimin e problematikës së banimit, të cilin e konsideron si prioritetin parësor.
Drenasi
Ndonëse në mesin e komunave të vogla dhe një bastion i padiskutueshëm i PDK-së, në zgjedhjet e fundit, kjo komunë tërhoqi vëmendje të jashtëzakonshme për shkak të rivalitetit të brendshëm që u zhvillua mes kandidatëve që synonin postin e kreut të Drenasit nga radhët e PDK-së.
Në zgjedhjet e 2021-ës, Demokratët për Drenasin e çuan në balotazh Ramiz Lladrovcin – në atë botë kandidat nga radhët e PDK-së. Në balotazh, Lladrovci siguroi përfundimisht fitoren, duke siguruar 54,16 për qind të votave.
Katër vite më vonë, rivaliteti i brendshëm në këtë komunë u intensifikua. Pas një sërë akuzash të rënda, përplasjesh dhe deklaratash që sinjalizuan tensione të thella, kryesia e Partisë përfundimisht e hoqi Lladrovcin nga kandidatura, duke e zëvendësuar me Petrit Hajdarin.
Nga ana tjetër, kryetari aktual Lladrovci pati dhjetëra paraqitje në studio televizive në të cilat u leshua në ofensiva verbale dhe akuzoi ish-bashkëpartinët, ku edhe shpalli kandidaturën e tij si kandidat i pavarur.
Mitrovica
Në zgjedhjet komunale të vitit 2021, mitrovicasit i dhanë një fitore të qartë kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Me 16 mijë e 566 vota, ose 53.69 për qind të mbështetjes, Hamza e siguroi mandatin pa shumë dilema. Kundërshtari i tij, Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje, u rendit i dyti me 10 mijë e 654 vota (34.53 për qind).
Në zgjedhjet e tanishme, Vetëvendosje ka rikthyer ambicien për ta rimarrë këtë komunë, duke kandiduar Faton Pecin, i cili siguroi numër të madh të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Por garën në Mitrovicë e elektrizoi kandidati i ri i PDK-së, Arian Tahiri, i cili rezultoi rival serioz për Faton Pecin. Tahiri arriti të dominoi Pecin në debatet televizive, duke e shndërruar Mitrovicën në njërën prej garave më të ndjekura në vend.
Deçani
Ndonëse prej vitesh një bastion i padiskutueshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, komuna e Deçanit këtë herë tërhoqi vëmendje të jashtëzakonshme.
Në qendër të saj është kandidatja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, e cila prodhoi dinamikë të re në këtë dhe debat në një terren politik që tradicionalisht ka qenë i parashikueshëm. Fushata e saj, e karakterizuar nga dinamizëm, prezencë të madhe në terren.
Kuçi e sfidoi kryetarin aktual Bashkim Ramosaj, duke ngritur publikisht një sërë akuzash dhe dyshimesh për keqpërdorim të mjeteve publike, të cilat i adresoi përmes rrjeteve sociale dhe debateve televizive.