2026 pritet të jetë një vit për t’u shënuar me të kuqe për Leo Messin. Kapiteni i Argjentinës është gati të përjetojë një sezon plot sfida dhe ëndrra. Nga njëra anë aventura me Inter Miami, nga ana tjetër dy sfida madhore me “Albiceleste”. Fillimisht “Finalissima” kundër Spanjës, pastaj kulmi absolut, Botërori i Amerikës së Veriut, i planifikuar mes SHBA, Meksikës dhe Kanadasë. Para se të zhytet në përgatitjet e parasezonit, “Pleshti” u rrëfye në një intervistë për “Luzu TV”, duke folur për futbollin, por edhe për jetën e përditshme.
“Ne jetojmë me topin, gjithë ditën. Edhe ata vijnë shpesh këtu në klub, stërviten”, – ka rrëfyer Messi, duke iu referuar fëmijëve të tij. Po në shtëpi, a luhet? Jo gjithmonë. “Nuk na lënë shumë në shtëpi, – buzëqeshi Leo, duke përfshirë me bashkëfajësi bashkëshorten Antonela Roccuzzo dhe rregullat e saj. – Në fakt dalin nga shkolla dhe vijmë menjëherë në klub, stërviten të hënën, të martën, hanë një ‘snack’ dhe pastaj kthehemi këtu. Nuk ka shumë kohë, por kur e kemi…, topi është gjithmonë aty”.

Çfarë bën Messi kur nuk luan futboll
Shumë rrëfime të sulmuesit argjentinas gjatë intervistës së tij të fundit, janë të raportuara këtu pikë për pikë. Leo Messi ka një obsesion të vërtetë për rregullin: “Nuk më pëlqen që njerëzit të prekin gjërat e mia, duhet të di se ku ndodhet çdo gjë. Që kur isha i vogël isha kështu. Edhe Thiago është njësoj si unë. Edhe Ciro, gjithashtu”.
Ana e tij romantike: “Jam i vëmendshëm. Çdo ditë më pëlqen të lë një dhuratë të vogël. Është e vështirë për mua ta shpreh, por e vërteta është se më pëlqen që njerëzit që dua të jenë gjithmonë të lumtur. Antonela është shumë më ekspansive se unë, por kemi pasur diskutime se si ajo ka pushuar së qeni e tillë, sepse unë isha më i ftohtë. Sidoqoftë, më pëlqen t’i shoh njerëzit që dua të lumtur”.
Çuditë e tij: “Edhe unë kam anën time më të çuditshme… Më pëlqen shumë të jem vetëm, më pëlqen të rri vetëm. Kaosi i shtëpisë me tre fëmijë që vrapojnë kudo përfundon duke më mbingarkuar dhe më pëlqen koha ime vetëm, të jem i qetë”.
Terapia psikologjike: “Kam kaluar një fazë kur e kam bërë. E kam bërë në Barcelonë. Dhe pastaj nuk e kam bërë më… Kam prirjen t’i mbaj gjërat për vete, t’i mbaj të gjitha brenda, t’i përballoj problemet e mia vetëm”.
Messi është shprehur shumë kritik ndaj vetes: “Në sport, gjithmonë kam thënë se isha kritiku im numër një. E di kur i kam bërë gjërat siç duhet dhe kur i kam bërë keq”.
Lidhja e fortë me të atin: “Në aspektin sportiv dhe në atë që ndodh në futboll, ndaj shumë më tepër me babanë tim. Gjatë gjithë karrierës sime sportive, personi që ka qenë pranë meje në këtë kuptim ka qenë babai. Gjithmonë kam pasur nevojë për miratimin e tij, ose për mendimin e tij. Kur isha i vogël, mbaroja një ndeshje dhe i kërkoja çfarëdo gjëje”.
Transferimi te River: “Shkova te River Plate. Shkova vetëm, u stërvita aty dhe mora pjesë në një provë. Pas 10 ditësh u ktheva dhe River më tha të qëndroja, se ata do të merreshin me trajtimin dhe se do të jetoja në rezidencën e tyre”.
Megjithatë, Messi u përball me një pengesë të papritur që e pengoi përfundimin e transferimit: “E vetmja gjë që River më tha ishte se nuk mund të bënin asgjë për regjistrimin tim. Duhej të shkoja të kërkoja lirimin tim te Newell’s Old Boys dhe të kthehesha me ata për të qëndruar. Kur shkova të kërkoja lirimin te Newell’s, nuk ma dhanë. Ishte shumë e vështirë dhe kjo i dha fund gjithçkaje. Për fat, erdhi Barcelona, që nuk ishte në planet e askujt”.

Jeta në Miami, anonimiteti dhe rutina
“Është e vërtetë që këtu jetoj shumë më qetë. Në këtë pjesë të Miami ku jetojmë është gjithashtu shumë…, shumë më amerikane. Njerëzit jetojnë ndryshe, ose nuk i japin shumë rëndësi futbollit. Në Barcelonë dilja dhe njerëzit ishin mësuar. Praktikisht kam lindur në Barcelonë, kam jetuar gjithë jetën time atje…, shkoja gjithmonë në të njëjtat vende, njerëzit më shihnin gjithmonë…, kështu që ishte normale. Kemi gjithashtu një jetë shumë rutinore. Edhe këtu varemi shumë nga djemtë…, jemi shumë të përfshirë me ta, me oraret e tyre. Ata dalin nga shkolla, siç thashë më parë, dhe vijmë në stërvitje”.
Rosario dhe festat: “Dua të shkoj në Rosario…, dua të shkoj me pushime, të jem atje…, por sinqerisht nuk dal kurrë nga shtëpia. Shkoj në shtëpinë e nënës sime, të vëllait tim…, por nga shtëpia në shtëpi. Më pëlqen sepse jam me familjen time, miqtë e mi, njerëzit e mi… Për mua është gjëja më e mirë që ekziston, sidomos në dhjetor. Për më tepër, e di si njerëzit kanë një energji tjetër, një atmosferë tjetër”.
Roli i tij si sipërmarrës: “Kam rreth meje njerëz që më ndihmojnë shumë. Gjithmonë kam menduar për futbollin dhe ishte e vetmja gjë që më kalonte në mendje. Vjen një moment kur duhet të mendosh përtej tij. Biznesi më pëlqen, është diçka e re edhe për mua. Rrethi im i ngushtë është gjithmonë i njëjti, ka njerëz që punojnë me mua që kur isha i vogël dhe kam shumë besim tek ata. I vëzhgoj të gjitha nga anash”.
Mbi lidershipin: “Gjithmonë kam folur me fakte, duke treguar. Çfarëdo që të bëj, jap maksimumin, në fushë, në stërvitje dhe në gjithçka që pason. Me kalimin e viteve fitohet përvojë dhe qetësi, duke u bërë më i relaksuar në një mënyrë tjetër. Pas vitit 2018 kam takuar një gjeneratë krejtësisht të ndryshme nga e imja”.
Truket me topin: “Di t’i bëj të gjitha, por nuk i kam bërë kurrë, nuk më kanë pëlqyer kurrë. Kur isha i vogël bëja më shumë, argëtohesha shumë më tepër, por nuk kisha gjithçka që kemi sot. Megjithatë, nuk më ka pëlqyer kurrë t’i bëj në ndeshje. Në fushë transformohem, jam konkurrues dhe përshpejtohem. Bëj shumë gjëra dhe pastaj shikoj pas e them: sa budalla kam qenë”.
Për gjestin ndaj Van Gaal kundër Holandës: “Flas shpesh me Román, shkëmbejmë mesazhe, më ka uruar për kampionatin, por nuk i kam thënë asgjë për gjestin ndaj Van Gaal, erdhi papritur. Pastaj donte të më vriste kur dolëm barazim. Mendoj që nëse reagon si të mundesh, gjithçka mbetet aty. Luaj për të fituar dhe jap gjithçka nga vetja. Pastaj mbaron ndeshja dhe gjithçka mbetet aty”.

Messi, pasioni për gossip-in dhe e ardhmja
Sulmuesi i Inter Miami foli për preferencat e tij sa iu përket pijeve alkoolike: “Për të kërcyer, duhet të jem pak i dehur… Më pëlqen vera si pije. Përndryshe, është rutina e zakonshme. Verë dhe sprite…, kështu ta bën efektin menjëherë. Është e këndshme për vapën”.
Ai u pyet gjithashtu nëse informohet për lajmet e personazheve të famshëm dhe i befasoi të gjithë duke zbuluar se shikon LAM, programin e kronikës rozë të drejtuar nga Ángel de Brito në “América TV”: “Po, e shikoj. Më pëlqen gossip-i, jam pak si nëna ime. Është argëtuese, e di. Antonelës nuk i pëlqen shumë. E bëj vetëm për të qenë i informuar. Mendoj se e kam marrë nga nëna ime. Ajo e do teatrin, është një fanatike e madhe. Po të varej nga ajo, do të ishte atje me Ángel te LAM”.
Më pas konfirmoi se nuk përdor ChatGPT: “Nuk kam kuptuar kurrë asgjë nga kjo. Gruaja ime, përkundrazi, rri gjithë ditën aty, duke bërë pyetje. Pyet gjëra budallaqe, gjithçka”.
Tha gjithashtu se tre fëmijët e tij janë përgjegjësit kryesorë për zgjedhjen e muzikës që dëgjohet në familje: “Në këtë moment, për shembull, dëgjojnë Bizarrap dhe Daddy Yankee gjithë ditën”.
A ka ende diçka për të fituar: “Jo, falë Zotit…, çfarë mund të kërkoja më shumë? Zoti më ka dhënë shumë më tepër sesa kisha imagjinuar ndonjëherë. Çdo gjë në kohën e vet; kur dukej e pamundur, trofetë erdhën me Argjentinën, ishte ajo që dëshiroja më shumë. Fillimisht ‘Copa América’ dhe thashë: ‘Mirë, kam fituar tashmë diçka’. Pastaj erdhi Katari…, gjesti që bëra ndaj familjes sime në tribuna ishte ‘mbaroi’. Gjithçka që do të vijë më pas është nga lart. Jam plotësisht mirënjohës”.
Duke menduar për të ardhmen e tij: “Sinqerisht nuk e shoh veten si trajner. Më pëlqen ideja për të qenë menaxher, por nëse do të duhej të zgjidhja, do të preferoja rolin e pronarit. Të kem klubin tim dhe ta bëj të rritet, duke filluar nga poshtë dhe dhënë lojtarëve të rinj e njerëzve të tjerë mundësinë të rriten dhe të arrijnë diçka të rëndësishme. Kjo është ajo që më tërheq më shumë”.
The post Nga Barcelona në Miami, nga Botërori te familja, Lionel Messi rrëfen gjithçka nga “universi” i tij appeared first on Telesport.










