Nga antarësimi në NATO te kriza institucionale – temat që dominuan takimet me zyrtarin amerikan Hanrahan

Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan ka zhvilluar një sërë takimesh me udhëheqës të partive politike në Kosovë, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, nënkryetaren e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Të gjithë liderët politikë kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij partneriteti strategjik në të gjitha fushat, veçanërisht në rrugën drejt integrimeve euroatlantike dhe forcimin e sigurisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zhvilloi një darkë pune me Hanrahan në rezidencën e Ambasadës Amerikane, ku u diskutua për bashkëpunimin bilateral, zhvillimet rajonale dhe sfidat aktuale.

Kurti theksoi se “Kosova mbetet një partnere e besueshme dhe aleate e palëkundur e SHBA-së”.

Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, në takimin me zyrtarin amerikan theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që përfshin njohje reciproke, si dhe nevojën për përforcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara mbeten aleati ynë më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm. Kosova është, dhe do të mbetet, një partnere e palëkundur e tyre”, deklaroi Krasniqi.

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, diskutoi me Hanrahan rreth krizës institucionale në vend dhe theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, duke propozuar krijimin e një qeverie kalimtare si rrugëdalje drejt zgjedhjeve të ardhshme.

“LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare. Ne qëndrojmë në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror”, u shpreh Bajrami pas takimit me zyrtarin amerikan.

Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë takimit Hanrahan dhe me të ngarkuarën me punë të Ambasadës, Anu Prattipati, nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe cilësoi aleancën me SHBA-në si “të përjetshme”.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për anëtarësimin e plotë në NATO, dhe mbështetja e SHBA-së është kyçe për këtë rrugë. Aleanca jonë me Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme”, ka deklaruar Haradinaj pas takimit.

Takimet e mbajtura theksojnë konsensusin e gjerë politik në Kosovë për rëndësinë jetike të mbështetjes amerikane dhe përkushtimin ndaj partneritetit të qëndrueshëm me SHBA-në.

The post Nga antarësimi në NATO te kriza institucionale – temat që dominuan takimet me zyrtarin amerikan Hanrahan appeared first on Kosovapost.net.