Nga 26 maji deri më 9 qershor, Kosova do jetë nikoqire “Defender Europe 2025”

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se 26 maji deri më 9 qershor të këtij viti Kosova do jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar, të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë “Defender Europe 2025”.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se gjatë kësaj periudhe kohore, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

“Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar ‘Defender Europe 25’, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, thuhet në njoftim.

Kosova në vitin 2023 ishte përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe 2023” si masë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas tensioneve në veri të vendit.

Konfirmimin se Kosova do të jetë nikoqire e “Defender Europe 2025”, e kishte bërë për Klankosova.tv, Liridona Gashi, zëdhënëse për media në MM.

“Po, Kosova do të jetë sërish nikoqire e Defender Europe, që do të organizohet në vitin 2025. Ndërsa sa për sqarimin tuaj të gjitha objektivat e FSK në Defender Europe 2023 janë përmbushur, i vetmi aktivitet që ishte anuluar vitin e kaluar në këtë ushtrim ka qenë DV DAY, dita kur para vizitorëve të shquar do të bëhej ekzekutimi praktik i ushtrimit si rikapitullim i të gjitha aktiviteteve që ishin realizuar gjatë gjithë ditëve të ushtrimit”, kishte thënë Gashi për Klankosova.tv, në janar të 2024-së.