Neymar lufton për t’u rikthyer në kombëtare, për të rifituar formën më të mirë sportive dhe nxjerrë Santosin nga situata e vështirë ku ndodhet. Asgjë nuk duket e thjeshtë, veçanërisht për të bindur Ancelottin për rikthimin e tij mer “Selecao”. Gjithsesi, ka arritur ta valorizojë maksimalisht ekipin e tij brazilian në rrjetet sociale.
Santosi arriti një rekord në TikTok me gati 600 milionë shikime. Në vendin e dytë është Flamengo, ekipi me tifozët më të shumtë në Brazil, me rreth 210 milionë shikime në këtë platformë. Një nga shtysat kryesore të kësaj rritjeje është Neymar, ylli botëror i futbollit, i cili ka përmirësuar formën sportive në çdo ndeshje. Sulmuesi ka luajtur 90 minuta dhe ka qenë titullar në 5 ndeshjet e fundit.
Duke shfrytëzuar këtë, klubi vijon të rrisë ndjekësit në pesë platformat kryesore digjitale. Në korrik arriti mbi 820.000 ndjekës, duke kapur shifrën e 25 milionë abonimeve të kombinuara në profilet zyrtare. Ky rezultat imponues ka ndihmuar shumë në forcimin e markës së Santosit si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, duke ndikuar drejtpërdrejt në tërheqjen e sponsorëve të rinj dhe në vlerësimin e partnerëve ekzistues.
Për Caio Lacerda, drejtor marketingu i Santosit, rritja në rrjetet sociale është rezultat i një strategjie të integruar dhe të fokusuar në performance: “Kemi një ekip të dedikuar për të kuptuar tendencat dhe prodhuar përmbajtje që lidh Santosin me audienca të ndryshme, pa humbur thelbin e klubit. Ky progres forcon pozicionimin global të markës dhe krijon vlerë për sponsorët tanë, që tani kanë më shumë dukshmëri në një mjedis shumë interaktiv”.
Nickolas Ribeiro, partner dhe themelues i “Grupo Ana Gaming”, pronar i markës “7k” dhe partner i klubit brazilian, thotë: “E dimë mirë impaktin dhe kthimin që do të sjellë sponsorizimi kryesor me Santosin. Është një klub me famë botërore, që mori më shumë dukshmëri me rikthimin e një ikone si Neymar. Rritja në rrjetet sociale forcon zgjerimin e markës tonë, me aktivizime strategjike në ditët e ndeshjeve, me partnerët dhe përmes iniciativave digjitale”.
Forca e Santosit në botën digjitale përfitohet edhe nga imazhi i yjeve të tij. Sipas studimit të “100 personaliteteve braziliane më me ndikim në Instagram më 2025”, Neymar udhëheq listën me 230.8 milionë ndjekës, një mesatare ndërveprimi prej 3.01 milionë dhe normë ndërveprimi prej 1.31%. Ylli historik i Santosit është ende një nga shtytësit kryesorë të lidhjes së klubit me tifozët në mbarë botën.
Presidenti Marcelo Teixeira thekson: “Ta kemi Neymar me ne, në kulmin e influencës globale, e pasuron gjithçka. Sidoqoftë, rritja e Santosit është përpjekje kolektive. Po investojmë në komunikim, marrëdhënie me tifozët, ndërkombëtarizim të markës dhe aleanca të reja tregtare. Neymar është katalizator, por bazat po vendoseshin prej kohësh”.
Santosi pati rritjen më të madhe në rrjetet sociale (përjashtuar YouTube) ndër 100 klubet më të mëdha në botë, me një rritje prej 81.7% që nga qershori 2024, sipas Observatorit të Futbollit CIES në Zvicër.
Lista e rritjes së ndjekësve nga qershori 2024 (përjashtuar YouTube), ndër 100 klubet më të mëdha:
1. Santos-BRA: +81.7%
2. Valladolid-ESP: +45.1%
3. Mallorca-ESP: +34.9%
4. Real Betis-ESP: +37.4%
5. Athletic Club-ESP: +34.5%
6. Girona-ESP: +30.1%
7. Espanyol-ESP: +29.4%
8. Sporting-POR: +28.9%
9. Lille-FRA: +27.7%
10. Celta-ESP: +26.4%
The post Neymar po e ndihmon Santosin të thyejë rekorde në… rrjetet sociale appeared first on Telesport.