Sulmuesi brazilian Rodrygo (25 vjeç, 19 paraqitje dhe vetëm një gol në këtë La Liga me Real Madrid) ka pësuar një këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe meniskut lateral. Lëndimi, i njoftuar dje ka tronditur thellësisht botën e futbollit, veçanërisht bashkëkombësin e tij Neymar.
Sulmuesi i Santos, i cili në moshën 34 vjeç ka përjetuar tashmë përvojën e pushimeve të gjata dhe të detyruara, shkroi në Instagram për të ndarë një mesazh prekës mbështetjeje për shokun e tij të skuadrës. Fjalët e ish-yllit të PSG-së shprehin dhimbje dhe dorëzim, por edhe dashuri të madhe vëllazërore.
“Kjo është një nga ditët më të trishtueshme për mua. Kur dëgjova për dëmtimin tënd, ishte sikur një film i tërë më kaloi para syve. Të gjitha vuajtjet, ankthi dhe frika e të jetuarit përmes këtij dëmtimi! Numri im 10, djali im, trashëgimtari im, siç të quaj unë, të kërkoj vetëm një gjë… Kujdesu për veten”, shkruan Neymar.
Më tej, ai komenton: “Tani është koha të mbledhim rreth teje të gjithë ata që i do. Dhe siç the, nuk e meritoje të kaloje nëpër të gjitha këto tani, por kush jemi ne që të dyshojmë në planet e Zotit. Vëlla i vogël… Kurajo, jam i sigurt se do të fluturosh përsëri. Të dua, dhe ashtu siç më mbështete, do të jem aty për ty“.
Analizat mjekësore të këtij dëmtimi janë shkatërruese si për klubin ashtu edhe për kombëtaren Seleção. Rodrygo, në fakt, do të duhet të humbasë jo vetëm fundin e sezonit 2025-2026 me fanellën e “merengues”, por ai do të detyrohet të humbasë edhe Kupën e Botës 2026 me Brazilin.
The post Neymar mesazh ngushëllimi Rodrygo pas dëmtimit: Je trashëgimtari im, kujdesu për veten vëlla i vogël appeared first on Telesport.










