Kombëtarja braziliane mund të rrezikojë seriozisht ta humbasë Neymarin për Botërorin, duke rikthyer kujtimet e një episodi dramatik të vitit 1998 me Romarion. Sulmuesi 34-vjeçar po përballet me një dëmtim të shkallës së dytë në pulpën e këmbës së djathtë dhe gjendja e tij po shqetëson “Seleçao”.
Situata kujton atë të Romarios para Botërorit të Francës 1998. Atëherë, ylli brazilian mbërriti në grumbullim me një problem në pulpë, të pësuar te Flamengo. Fillimisht stafi mjekësor dha shpresa për rikuperim, por më 2 qershor, vetëm 8 ditë para debutimit kundër Skocisë, trajneri Zagallo vendosi ta largonte. Romario reagoi mes lotësh dhe akuzoi trajnerin Zagallo dhe Zico se kishin organizuar largimin e tij nga skuadra.
Për të treguar se ishte ende në formë, ai luajti madje një miqësore me Flamengon gjatë Botërorit dhe shënoi gol. Për Neymar, skenari mbetet i hapur. Analizat tregojnë një ndalesë 2-3 javore, çka e detyron të humbasë ndeshjen e parë më 13 qershor ndaj Marokut, por mund të rikthehet për sfidën e 19 qershorit kundër Haitit. Federata braziliane do të presë deri më 12 qershor për vendimin final.
The post Neymar i dëmtuar, a do të përsëritet makthi i Romarios më 1998 me Brazilin? appeared first on Telesport.









