Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Postën e Kosovës, përkatësisht Filatelinë e Postës, u lansua Pulla Postare në nderim dhe vlerësim të figurës së shquar, ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Me iniciativë të ministrit Kujtim Gashi, Posta e Kosovës i dedikon legjendës së gjallë më muzikës shqipe Nexhmije Pagarushës Pullë Postare.
Më këtë rast, Gashi tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë pasi u lansua pulla postare në nderim të Nexhmije Pagarushës,
Ai më tej deklaroi se me angazhimin e tij dhe të stafit të MKRS-së, është marrë iniciativa për pension shtetëror i përmuajshëm për Nexhmije Pagarushën.
MKRS-ja së shpejti do të botojë një monografi për mbretëreshën e këngës shqipe, ‘Bilbilin e Kosovës’, si dhe në vendlindjen e saj në Pagarushë të Malishevës do të ndërtohet qendra e kulturës për nder të saj.
Mbesa e Nexhmije Pagarushës e cila pranoi plaketën e emisionit të ri të pullave postare, në emër të familjes e vlerësoi si mirënjohjen më të mirë, vendosjen e figurës së Nexhmije Pagarushës nëpër pulla postare.
Ajo përcolli falënderimet e Nexhmije Pagarusha për ministrin për iniciativën e marrë, duke shprehur mirënjohjen për kujdesin e treguar institucional të treguar ndaj saj.
Ndërsa përfaqësuesi i Postës së Kosovës u shpreh se përmes pullës postare në nderim të figurës së Nexhmije Pagarushës ndjehet e privilegjuar dhe e nderuar edhe Posta e Kosovës sepse kontributi i këngëtares është jashtëzakonisht i çmuar dhe ka përçuar vlera nëpër gjenerata të tëra.