Netanyahu nuk përjashtoi sulme të mundshme kundër zyrtarëve të lartë të Hamasit kudo që ndodhen.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se “sulmi në Katar nuk dështoi”, duke folur në një konferencë për shtyp së bashku me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve Marco Rubio pas takimit të tyre në Jerusalem.
“Ne ende po presim raportet përfundimtare. Unë nuk e pranoj pretendimin se operacioni në Katar dështoi, sepse mesazhi kryesor që donim të përcillnim ishte se nuk ka imunitet askund në botë”, theksoi Netanyahu.
Kryeministri izraelit nuk përjashtoi sulme të mundshme kundër zyrtarëve të lartë të Hamasit kudo që ndodhen.
Ekziston një “hipokrizi e jashtëzakonshme” në kritikat e drejtuara ndaj Izraelit për sulmin kundër Hamasit në Katar, shtoi ai.
Netanyahu duket se pranoi se Izraeli dështoi të vriste udhëheqësit e Hamasit, raporton Times of Israel, por argumentoi se Izraeli megjithatë u dërgoi një mesazh terroristëve me sulmin: “Mund të fshiheni, mund të ikni, por ne do t’ju gjejmë”.
Netanyahu përmendi rezolutën e Kombeve të Bashkuara të miratuar pas 11 shtatorit, e cila thotë se asnjë vend nuk mund të strehojë terroristë: “Nuk keni sovranitet kur ofroni një bazë për terroristët”, tha ai.