Netanyahu refuzon presionin e Trumpit për Bregun Perëndimor: Vendimet për aneksim i marrim vetë

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte paralajmëruar se Izraeli do të humbasë “të gjithë mbështetjen e SHBA-së” nëse anekson Bregun Perëndimor.

Në një intervistë për revistën TIME, lideri amerikan ka pohuar se “kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte”.

Ky paralajmërim erdhi pas miratimit të një projektligji në parlamentin izraelit për avancimin e aneksimit të Bregut Perëndimor.

Në një reagim ndaj këtyre zhvillimeve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u pyet nëse SHBA-ja po dikton politikën izraelite.

Ai u përgjigj se “gjithmonë do ta thonë këtë, nuk ka rëndësi. Ne jemi një vend i pavarur”.

Ky qëndrim i Netanyahut thekson angazhimin e Izraelit për të ruajtur sovranitetin në vendimmarrje, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.

Kujtojmë se projektligji u miratua me një votim 25-24. Nuk është e qartë nëse ka mbështetje për të fituar shumicën në Knessetin (parlamenti) me 120 vende, dhe ka mënyra se si kryeministri mund ta vonojë ose ta mposhtë atë.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime që strehojnë 700 mijë hebrenj gjatë pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor. Rreth 3.3 milionë palestinezë jetojnë pranë tyre.

Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – një qëndrim i mbështetur nga një mendim këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vitin e kaluar.