Të hënën e 19 majit, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet përsëri në mënyrë që të arrihet konstituimi i këtij institucioni. Kjo do të jetë tentativa e 18-të me radhë.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje përmes kryesuesit të seancës dje doli me propozim që seanca të mbahet një herë në javë e jo çdo 48 orë, bashkëkryesuesja e seancës që vije nga PDK, doli kundër këtij propozimi, duke thënë se janë të gatshëm të punojnë çdo ditë, shkruan Reporteri.net.
Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, dje pas dështimit të seancës tha se propozimi që seanca të mbahet një herënëjavë e ka bërë pasi nuk ka kuptim deputetët të vijnë çdo 48 orë në Kuvend kur rezultati po del i njejtë.


“Ata po deklarohen para medieve sepse nuk ka kuptim që të vijnë çdo 48 orë, për shkak se rezultati po del i njëjtë dhe unë e pashë të nevojshme që të konsultohem me ta, nëse janë të mendimit ata shprehen mendimin që të konsultohen me grupet e tyre parlamentare dhe në seancën tjetër të sjellin një vendim. Rregullorja obligon që t`i thërrasësh deri sa nuk ka një zgjidhje, natyrisht do të ishte më mirë që të kishte zgjidhje, por derisa nuk ka zgjidhje detyrohesh t`i thërrasësh çdo 48 orë”, ka deklaruar Dehari dje pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Por, bashkëkryesuesja e seancës, deputetja më e re e Kuvendit që vije nga PDK, Sala Jashari, ka dalë kundër këtij propozimi duke thënë se kërkesa e Vetëvendosjes që seancat të mbahen një herë në javë, tregojnë dëshirën e kësaj partie për ta zgjatur bllokadën institucionale.
Ajo dje përmes një postimi në Facebook ka shkruar se PDK është e gatshme të jetë e pranishme çdo ditë në Kuvend, për të zhbllokuar situatën
“Kërkesa e VV-së për ta kufizuar mbajtjen e seancave vetëm një herë në javë flet më shumë se çdo deklaratë tjetër që mund të jepet. Kjo kërkesë tregon qartë dëshirën dhe nevojën për ta zgjatur bllokadën institucionale — një dëshmi e mungesës së vullnetit dhe aftësisë për të krijuar institucionet e reja”.
“Ne nuk kërkojmë seanca një herë në javë, as çdo 48 orë. Ne jemi të gatshëm të jemi të pranishëm çdo ditë, në çdo moment, në Kuvendin e Kosovës, për të punuar drejt zhbllokimit të situatës. Kjo kërkesë e sotme është një tjetër alarm zgjimi për të gjithë. Është e qartë që VV-ja po përpiqet të kontrollojë dhe kurdisë procesin vetëm kur i konvenon asaj!”, ka shkruar ajo.
Seanca nesër është thirrë për në ora 10:30. /Reporteri.net/.