Nesër starti ndaj Mallorca, rrëfehet për gjithçka Flick: Nëse fiton tre trofe, nuk është fundi, por…

Hansi Flick shprehu pakënaqësinë e tij, pasi ende ka lojtarë që nuk janë regjistruar në La Liga për sezonin e ri; Joan García, Marcus Rashford, Gerard Martín… Megjithatë tha se ka besim te menaxhimi i klubit, që t’i ketë të gjithë futbollistët gati për nesër ndaj Mallorca. Trajneri gjerman shtoi se ekipi i tij, kampion në fuqi, është gati për nisjen e sezonit 2025-2026.

Ndeshja – “Jam shumë i kënaqur me atë që kam parë në stërvitje këto javë. Seanca e sotme ishte me shumë cilësi. Lojtarët janë gati për ndeshjen e nesërme”.

Regjistrimet – “Kjo është situata, nuk më bën të lumtur, por i besoj klubit. Duhet të presim deri nesër. E njëjta gjë ndodhi edhe sezonin e kaluar. Duhet të fokusohemi tek ajo që mund të bëjmë. Për pjesën tjetër i besoj klubit”.

Transferimi i Joan García – “Ka qenë një vendim i përbashkët. Është një portier i madh. Pas tij kemi Szczesny. Jam i kënaqur me situatën, siç është”.

Lamine Yamal – “Njësoj si gjithmonë, më e rëndësishmja është të fitojmë si ekip. Ai është pjesë e rëndësishme e Barcelonës. Po stërvitet shumë mirë me dhe pa top, po mbron, po bën presion, e pamë edhe kundër Comos. Është në rrugën e duhur. Po përmirësohet, ka ende hapësirë për rritje. Nuk më intereson sa gola shënon, por që ekipi të fitojë”.

Ter Stegen – “Më e rëndësishmja është që të gjithë të komunikojnë. Marc dhe klubi e kanë bërë këtë. Ai është një portier fantastik, duhet të jetë gati për të luajtur. Do ta ndihmojmë të gjithë”.

Iñigo Martínez – “E kam thënë edhe më parë. Kur po ktheheshim nga Koreja e Jugut, ishte një surprizë për mua, por e kuptoj plotësisht. Nuk më gëzon, sepse është një lojtar i madh, me personalitet të madh, një lider i vërtetë në dhomën e zhveshjes. Sidoqoftë, i uroj gjithë të mirat”.

Ndeshja në Miami – “Nuk e di nëse kjo e prish garën. Nuk e kam menduar dhe nuk është e konfirmuar. Jam i fokusuar te ndeshja me Mallorca”.

Sezoni i dytë te Barcelona – “Po punojmë shumë fort dhe lojtarët janë mjaft të fokusuar. Nëse fiton tre trofe, nuk është fundi, por vazhdimësia. Duhet të përmirësohemi dhe të fokusohemi maksimalisht, ta fitojmë çdo ndeshje. E dimë që rivalët në La Liga janë të fortë”.

Durimi – “Mendoj se është mirë të përmirësohesh me kalimin e moshës. Dua të përmirësohem edhe vetë në çdo aspekt”.

Marc Bernal – “Mjeku Pruna më tha që do të mungojë një vit. Karriera e tij është në lojë, më mirë le të presim. Po punon fort për t’u rikuperuar. Do ta shohim shpejt në fushat e lojës, por nuk e di saktësisht kur”.

Mesfusha – “Për një trajner është mirë të ketë lojtarë të tillë, por duhet t’i menaxhoj minutat e secilit. Ky repart te Barcelona ka shumë cilësi, nuk është gjithmonë e lehtë të zgjedhësh”.

Skuadra – “Besoj se kemi cilësinë e nevojshme për të qenë edhe më të mirë. Do ta shohim në fund të sezonit nëse kemi fituar një apo më shumë trofe. E dimë që do të jetë e vështirë”.

Fillimi i sezonit – “Është gjithmonë mirë ta nisësh me fitore, por e rëndësishme është të besojmë te stili ynë i lojës. Çdokush duhet të ketë besim për ta përballuar sfidën”.

Objektivat e sezonit – “Për mua nuk ka të bëjë vetëm me titujt. Më të rëndësishme janë progresi, përmirësimi nga ndeshja në ndeshje dhe rafinimi i stilit tonë”.

Merkatoja – “Nuk kam folur me Deco. Gerard mund të luajë edhe si qendërmbrojtës, ka bërë shumë mirë në këtë pozicion”.

Fermín López – “Sezoni i kaluar ishte spektakolar për të. Ka shumë konkurrencë në ato pozita ku luan. Në fillim të përgatitjeve nuk isha shumë i kënaqur, por ka bërë përmirësime të mëdha në dy javët e fundit. Kundër Comos tregoi sa i mirë është”.

The post Nesër starti ndaj Mallorca, rrëfehet për gjithçka Flick: Nëse fiton tre trofe, nuk është fundi, por… appeared first on Telesport.