Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pritet që nesër të shpall rezultatet përfundimtare, pra që nga 9 shkurti deri më tash ishin rezultatet preliminare, dhe tashmë KQZ ka njoftuar se mund t’i shpall rezultatet përfundimtare. Por, kur certifikohen rezultatet?
Gjykata Supreme gjatë ditës së djeshme ka marrë vendimin për ankesën e fundit të parashtruar nga Partia Demokratike e Ashkalinjëve (PDAK)-LPB.
Supremja ka refuzuar ankesën e PDAK-së lidhur me manipulimet e votave me postë, duke e quajtur edhe si të “pathemeltë”.
Pas që kjo ishte ankesa e fundit në Supreme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, iu hap rruga për t’i shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Në një njoftim të lëshuar nga KQZ, u bë e ditur se nesër do ta bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se të shtunën, më 15 mars 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025.” – ka thënë ai.
Por, kur certifikohen rezultatet?
Me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor, krejt kjo pasi që subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre lidhur me këto rezultate.
Sipas ligjeve në fuqi, fillimisht ankesat mund të paraqiten në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, dhe në rast se ky institucion hedhë poshtë ndonjë ankesë, pala e pakënaqur mund të ankohet në Gjykatën Supreme.
Por, edhe nëse Supremja i hedh poshtë këto ankesa, atëherë i hapen rrugët KQZ për certifikim, por nëse ndonjë ankesë shqyrtohet nga Supremja, atëherë procesi mund të vonohet.
Çfarëdo ankese do ta zgjaste afatin e certifikimit të zgjedhjeve edhe për disa ditë të tjera.
Dhe tek pasi të jenë përmbyllur të gjitha lëndët, KQZ e harton raportin final dhe bën certifikimin e rezultateve, shkruan Nacionale.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Neni 106 thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon rezultatet pas përfundimit të të gjitha procedurave.
“KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo ankesë ndaj vendimeve të PZAP-ja lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës.” – thuhet në Ligj.
E në momentin kur KQZ certifikon rezultatet, të njëjtit e njoftojnë Presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve.
KQZ i dërgon raporti final presidentit të shtetit dhe ky i fundit është i obliguar që brenda 30 ditëve ta thërras mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.