Nesër Kallas darkon me kryediplomatët e Ballkanit Perëndimor: Çka paralajmëroi për dialogun Kosovë-Serbi?

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas të dielen do të ketë një darkë pune me kryediplomatët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, para se t’i njoftojë kryediplomatët evropianë mbi rajonin dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Të hënën, mblidhet Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së, në një takim që do të kryesohet nga Kallas.

Në agjendë të takimit, pritet të jetë edhe Ballkani Perëndimor. Siç thuhet në njoftimin zyrtar, gjatë një dreke pune Këshilli do të shkëmbejë pikëpamje rreth marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, Kallas do t’u flasë kryediplomatëve të shteteve evropiane edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi:

“Përfaqësuesja e Lartë do t’i informojë ministrat rreth vizitave të saj së fundi në Malin e Zi, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe rreth zhvillimeve të fundit në dialogun Kosovë-Serbi”.

Paraprakisht, të dielen më 13 prill, Kallas do të ketë një darkë jozyrtare me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëdimor.

“Më 13 prill, Përfaqësuesja e Lartë do të organizojë një darkë jozyrtare me Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Këshilli i Punëve të Jashtme më 14 prill do të pasohet nga Dialogu i parë i Nivelit të Lartë BE-Autoriteti Palestinez” – thuhet në njoftim.

Dialogu Kosovë-Serbi

Kryediplomatja e re evropiane para pak ditësh ka paralajmëruar se mund të shqyrtohet ndonjë mjet tjetër, përveç dialogut, për të normalizuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Duke folur për “REL”, ajo ka thënë se normalizimi duhet të ndodhë përmes këtij dialogu, apo “ndonjë instrumenti tjetër”.

“Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ose dialogun Beograd-Prishtinë, unë kam emëruar një Përfaqësues të Posaçëm, me të cilin do të ulem për të parë të ardhmen. Ajo që na intereson është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qoftë përmes këtij dialogu, apo ndonjë instrumenti tjetër, ne do të mbledhim ide dhe do të dalim me një propozim” – ka thënë ajo.

Kallas është pyetur se a mund të ketë diçka tjetër, përveç dialogut, gjë të cilën s’e mohoi.

“Duket se dialogu ka ngecur pak, sepse palët vetëm po ankohen për njëra-tjetrën. Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane.

Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”./Radio Evropa e Lirë/