E mërkura shënon datën e fundit që Korporata Energjetike e Kosovës do t’i furnizojë me energji elektrike të gjitha bizneset që nuk kanë gjetur furnizues në treg të hapur. Pas 30 korrikut, Korporata Energjetike ka njoftuar se përfundon furnizimin me energji si Furnizuesin e Mundësisë së Fundit i cili ka nisur që nga 1 qershori. Rrjedhimisht, pas kësaj date, të gjithë konsumatorët që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar, do të mbesin automatikisht pa furnizim me energji elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.
Por me këtë afat assesi nuk po pajtohet Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari i kësaj Ode, Lulzim Rafuna, ka kërkuar shtyrjen e afatit deri në muajt e parë të vitit të ardhshëm, për të lejuar një periudhë kalimtare më të gjatë për bizneset
” ZRRE ta pezulloj deri më 1 shkurt më së paku në mënyrë që ta përgatitë më së miri tregun dhe t’i jep mundësi biznesit që të përgatitet për fazën e tranzicionit. Këto janë kërkesat e biznesit, janë kërkesa të Odes dhe nuk pajtohemi në asnjë mënyrë që çështja e energjisë elektrike t’ju ndërprehet, nuk pajtohemi në asnjë mënyrë këtë formë të dhunshme qysh janë nxjerrë në tregun e lirë po në formë të dhunshme të detyrohen të lidhin kontratë”, tha Lulzim Rafuna , kryetar i Odes Ekonomike të Kosovës.
Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë vënë në pah se dëmet e këtij vendimi për bizneset do të jenë afatgjate.
“Dëmet në ekonominë nuk janë gjithmonë te menjëhershme, ka disa dëme që i kuptojmë më vonë dhe atëherë e kuptojmë çka kemi bërë, prandaj kemi kërkua që çdo veprim, çdo vendim qeë ndërlidhet me ekonominë e vendet duhet të merret në konsultim me bizneset”, tha Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike për RTK-në përmes telefonit e kanë bërë të qartë se pas 30 korrikut të gjitha bizneset që nuk ka lidhur kontratë me ndonjë operator tjetër, automatikisht do të shkyçen nga energjia elektrike. Furnizimi i tyre nga KEK-u ka qenë i përkohshëm dhe sipas ZRRE-së, në momentin që kalon 60 ditë, e që i bie nga 1 gushti, bizneset do të shkyçen nga furnizimi me energji elektrike./RTK