Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka sqaruar procedurat kushtetuese dhe afatet ligjore që lidhen me zgjedhjen e mandatarit për kryeministër dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Sipas Cakollit, mandatarit të ri i mbetet afati ligjor deri më 19 nëntor për ta paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend, si dhe për të siguruar të paktën 61 vota.
Nëse deri në këtë datë nuk arrihet votimi me sukses, më 20 nëntor presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.
“Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre, ndërsa Ligji për Zgjedhjet i jep Presidentes deri në 10 ditë kohë për ta bërë shpalljen e datës së zgjedhjeve nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai ka sqaruar se nëse Kuvendi shpërndahet më 20 nëntor, datat më të mundshme për zgjedhje janë 21 ose 28 dhjetori.
“Teorikisht, të mundshme janë edhe 14 dhjetori – nëse procedura dështon dhe shpërndarja ndodh më herët; apo 4 janari, vetëm në rast se shpallja e datës së zgjedhjeve shtyhet deri në fund të nëntorit, në afatin maksimal 10-ditor që ka Presidentja”, ka shtuar ai.












