Nëntë muaj i konsumoi, Kurti fton të pritet “edhe 10 ditë”: Kusari-Lila do zgjedhje të reja, NISMA heqjen e Dimalit

Nëntë muaj i konsumoi me gjithëfarë marifetesh procedurale.

Komision për votim të fshehtë, komision për votim të fshehtë përsëri dhe, së treti, me Nenad Rashiqin si Nënkryetar serb të Kuvendit të Kosovës.

Për këtë të fundën, asnjë ambasadë e QUINT-it as që e ka përshëndetur Kuvendin e Kosovës si “të konstituuar” – për çka lexohet të jetë shkelje kushtetuese në disa rrafshe dhe potencialisht (deri të shtunën) e sfidueshme sërish në Gjykatë Kushtetuese.

Albin Kurti i Vetëvendosjes është futur në sahatin kushtetues – ku më deri më 26 tetor do t’i duhet të dalë para Kuvendit të Kosovës dhe të zgjedh qeveri të re.

Vetëvendosja e vet më së largu ka shkuar në 57 vota (përkatësisht 56, pasi që Veton Berisha i komunitetit egjiptian është deklaruar se ka votë për Kryetar të Kuvendit, dhe jo për qeveri – ose së paku jo për qeveri, për sa kohë s’ka marrëveshje politike).

Nisma Socialdemokrate tha se “është e gatshme” të ulet Vetëvendosjen dhe t’ia jap tre votat e veta, “por ama, duhet të sqarohet pozita e Dimal Bashës”, tha Xhevahire Izmaku, deputete e këtij subjekti politik.

Izmaku, më tej, tha se nëse formimi i qeverisë së re varet vetëm nga tri votat e Nisma Socialdemokrate, “atëherë në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte”.

56 dhe me tre votat e NISMA-s, bëhen 59 – ndërsa duhen minimalisht edhe dy vota të tjera për të votuar me shumicën më minimale një qeveri që do të rrinte në këmbë të drunjta. Ato dy vota (përkatësisht tri) që kanë mbetur janë të minoriteteve: Duda Balje, Adem Hoxhën dhe Veton Berisha.

Albin Kurti i Vetëvendosjes, tash kur i kanë mbetur edhe 12 ditë deri në numërimin e fundit mbrapsht, tha se nuk ka zhvilluar bisedime me askënd – sepse është “i zënë” me zgjedhjet lokale dhe balotazhin që pason.

Por ama, shtoi ai, “janë edhe më shumë se dhjetë ditë kohë”.

  • “Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë,” tha Kurti.

Partnerja e ngushtë e Albin Kurtit, Mimoza Kusar-Lila tha se “disa bisedime” veçse janë zhvilluar, por se për këtë duhet të flasë i pari i Vetëvendosjes vetë. Por, sa për partinë e saj, Kusari-Lila tha se duan zgjedhje të reja.

  • Unë mund të flasë në emër të Aleternativës, unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja sepse tashmë është bërë një periudhë e gjatë prej kohës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime të cilat kërkojnë ri konfirmim të besimit të qytetarëve por natyrisht për zgjedhje gjithmonë jemi gati”, tha Kusari-Lila për “Indeksonline”.

Kurti s’i ka votat…

Albin Kurti i Vetëvendosjes dje brendarreshtash la të kuptojë se nuk ka shumicë të thjesht për qeveri të re. Tha se nëse nuk i ka votat, do të ketë “zgjedhje të reja”.

Nga Partia Demokratike e Kosovës presin që zgjedhje të reja nacionale të mbahen menjëherë pas përfundimit të balotazhit të nëntorit në zgjedhjet lokale.

Memli Krasniqi në “Pressing” të T7 ditëve të fundit tha se zgjedhje nacionale pritet të ketë kah fillimi i dhjetorit.