Nënshkruhet projekti për efiçiencë të energjisë për banesat sociale

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe Komunës së Prizrenit për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”.

Në projektin e zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, do të investohen 478,426 euro me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes grantit të Bashkimit Evropian dhe me pjesëmarrjen e komunës prej 10%.

Ministrja Rizvanolli theksoi se kur kemi dizajnuar pakon emergjente të BE-së për energji, një prej sfidave ka qenë me i balancuar dy objektivat e sistemit të energjisë në njërën anë dhe nga ana tjetër të siguruarit që po i prekim shtresat më të ndjeshme.

“Duke i pas parasysh sfidat e qasjes te kjo kategori, kemi menduar se targetimi i banesave sociale është një mënyrë më e mirë, pasi është numër i madh i familjeve”, tha Rizvanolli dhe shprehu bindjen se këto familje, këtë dimër do ta kalojnë më ngrohtë.

Nga investimet në tri ndërtesa shumë-banesore sociale, do të përfitojnë 250 banorë. Në ndërtesa do të kryhen punime në izolimin e mureve të jashtme, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të hyrjes, termoizolimin e kulmit, do të vendoset sistemi i ngrohjes me kondicioner ajri, renovimi i hyrjeve, vendosja e interfonisë dhe masat për mbrojtje kundër zjarrit/detektorët e tymit.

Projekti në Prizren është pjesë e një programi të gjerë në nivel vendi, ku tashmë kanë filluar punimet në 12 komuna të tjera, ku përfshihet renovimi i 28 ndërtesave sociale, me një vlerë totale prej mbi 6 milionë euro.

Në ceremoninë e nënshkrimit përveç ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtor menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

The post Nënshkruhet projekti për efiçiencë të energjisë për banesat sociale appeared first on Kosovapost.net.