Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se takimet me partitë politike për gjykimin në Hagë janë zhvilluar me synimin për të siguruar mbështetjen e deputetëve për një proces monitorimi të drejtësisë, e jo për ndërhyrje në të.
Syla theksoi se kërkesa e veteranëve ka qenë dhe mbetet monitorimi i punës së Gjykatës Speciale, duke e parë Parlamentin e Kosovës si adresën kryesore që mund ta mundësojë këtë proces.![]()
Sipas tij, Kuvendi, institucionet e vendit apo Ministria e Drejtësisë kanë mundësinë të kontraktojnë një institut të pavarur ndërkombëtar, i cili do të monitoronte të gjitha gjykimet.
“Kur kemi taku partitë politike, ideja ka qenë që me marr mbështetjen e deputetëve. Ideja është gjtihmonë te na që mos me ndërhy në drejtësi, po kërkojmë monitorim të saj. Pse parlamenti, sepse parlamenti jonë, institucionet ton, mundet me kontraktu një institut të pavarur ndërkombëtar që monitron gjykimet ndërkombëtare”, tha ai në “VV Show”.![]()
Ai vlerësoi se ende nuk është vonë për një hap të tillë, pasi instituti mund të shqyrtojë të gjithë procesin që nga fillimi i funksionimit të Gjykatës Speciale.
Syla shprehu bindjen se një monitorim i plotë dhe i paanshëm i punës së kësaj gjykate do të dëshmonte pafajësinë e bashkëluftëtarëve të UÇK-së dhe do të mundësonte kthimin e tyre të lirë në familjet e tyre.![]()
“Nuk jemi vonë, ka mundësi që insituti me shiku krejt çka ka ndodh prej fillimit të procesit. Nëse do ketë monitorim të punës të Gjykatës Speciale prej themelimit të saj deri më sot, jam i bindur që bashkëluftëtarët tanë do të kthehen të pafajshëm në shtpitë e tyre”.
Në rast se një monitorim i tillë nuk realizohet përmes institucioneve të Kosovës, Syla tha se ekzistojnë edhe forma të tjera.
Ai përmendi mundësinë që institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë ushtruar presion për themelimin e Gjykatës Speciale dhe ku ishte miratuar raporti i Dick Martyt, të krijojnë një komision të posaçëm për mbikëqyrjen e punës së saj.
“Nëse nuk do ketë monitorim që përveç këtij instituti që mundet me kontraktu shteti jonë, parlamenti apo ministria e drejtësisë, ka edhe forma tjera, institucioni që na ka bë presion me bë gjykatën speciale ku u votu raporti i Dick Martyt, mundet me kriju një komision atje për mbikqyrjen e gjykatës, asnjë gjë tjetër”.












