Nënkryetari i AAK’së: Kurti s’i dha opozitës shansin ta kritikonte, ra nga pushteti pa i mbushur 50 ditë

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, po thotë se partitë opozitare në vend nuk kanë ditur ta kritikojnë qeverisjën e tij. Ai ka deklaruar se nuk po sheh kritikë, por akuza nga opozita. Por, sipas nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, nuk mund të kritikohet një kryeministër që përmbyset për më pak se 50 ditë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj, ka thënë se Kurti ka qeverisur aq keq sa nuk pati nevojë për kritikën e opozitës.

Si mund të kritikojë një opozitë një kryeministër që përmbyset për më pak se 50 ditë. Ne e kemi pas vendosur që të mos e kritikojmë, bile në 100 ditët e para, por qe do që ai qeverisi aq keq, sa që nuk kishte as nevojë për kritikën e opozitës”, ka thënë Nitaj.

Nitaj po thotë se shkarkimi i shpejtë i Kurtit nuk i la kohë opozotës që ta kritikojë.

“Ka të drejtë kryeministri i shkarkuar që opozita nuk e ka kritikuar mjaftueshëm. Por ai nuk i dha as kohë opozitës ta kritikonte, sepse hala pa e marrë mirë detyrën ra prej pushtetit”, ka deklaruar Nitaj.

Shefi në detyrë i Qeverisë së Kosovës, një natë më parë në “DPT te Fidani” në T7 tha se Lëvizja Vetëvendosje e bën më mirë edhe qeverisjen edhe opozitën.

Ai tha se opozita nuk e ka kritikuar gjatë kohës kur ka qeverisur. Sipas Kurtit, opozita vetëm ka bërtitur kundër tij, por nuk e ka kritikuar.

“Dështim, mashtrim, gënjeshtër, është një lloj bërtitje kundër neve, pa kritikë tamam, unë nuk po shoh kritikë. Lëvizja Vetëvendosje si opozitë ka marrë aksione radikale për kah tema, aksioni radikal ka qenë i paraprirë nga një kritikë e stërholluar. Kritikë ndaj qeverisjes tonë nuk po shoh, po shoh sulme e akuza nga ata që nuk po duan ta kupotojnë se ardhmëria në Kosovë ka një datë, ajo është 6 qershori”, tha Kurti.

Albin Kurti u zgjodh kryeministër më 3 shkurt të këtij viti, pas koalicionit që kishte lidhur me LDK’në e Isa Mustafës.

Por qeverisja e tij nuk zgjati më shumë se 50 ditë.

Ndaj Kurtit u nis mocioni mosbesues i cili u votua me 82 vota për, në Kuvendin e Kosovës me 25 mars.

Përplasjet në koalicionin qeverisës nisën kur Kryeministri Kurti refuzoi të hiqte taksën dhe të mos vendoste reciprocitet ndaj Serbisë ashtu siç kërkonin amerikanët. Ndërsa, kur Kurti shkarkoi Agim Veliun nga pozita e Ministrit erdhi edhe fundi i Qeverisë, duke nisur kështu LDK mocionin e mosbesimit.