Kryetari i Komunës së Gjakovës, njëherësh nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i ka reaguar deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, pas deklaratave të tij për taksën që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj mallrave nga Serbia.
Selmanaj ka thënë sonte në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë porosi të qartë ndaj Kosovës për taksën, dhe ka vlerësuar se kjo masë nuk guxon t’i rrezikojë raportet Kosovë-SHBA.
Pas këtyre deklaratave të Selmanajt, Gjini ka dalë me një porosi për deputetin dhe për partinë e tij, nëpërmjet një shkrimi në Facebook.
“E ftoj Driton Selmanajn dhe LDK ta thërrasin Kuvendin në një seancë të jashtzakonshme për heqjen e taksës ndaj Serbisë”, ka shkruar Gjini në natën e së martës.
“Nëse po ia shohim sherrin taksës, sipas tyre, le ta thërrasin seancen, dhe ta shpëtojnë Kosovën”, ka thënë ai.
“Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do ta vërtetojnë (për të njëqindten herë) se janë krejt oportunistë”, është shprehur Gjini.