Nënkryetarët e LDK-së, i dalin kundër Hotit që kërkoi lidership të ri në parti

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ditën e sotme bëri një deklaratë e cila ngjalli goxha reagime në opinion.

Përmes një postimi në Facebook, deputeti i zgjedhur Hoti deklaroi se partia ka nevojë për lidership të ri, teksa u shpreh se në katër vitet e fundit, lidershipi aktual është angazhuar për ristrukturim të partisë në degë, por shtoi se “jo në pak raste kjo është bërë në mënyrë selektive”.

Ai ka thënë se rezultati zgjedhor i LDK-së nuk është i kënaqshëm “e as i përafërt me atë që kemi shpresuar pas katër vitesh përgatitje”.

Për këtë deklaratë kanë reaguar nënkryetarët e LDK-së.

Lutfi Haziri tha se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë, e cila, sipas tij, më 19 nëntor 2023 vendosi për një mandat të ri të lidershipit.

“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik. Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët. Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, shkroi Haziri.

Ndërkaq, homologu i tij, Gazmend Muhaxheri është shprehur kundër shkarkimit të kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryesisë së LDK-së pas rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit.

Ai tha se nuk ka kuptim që të shkarkohet dikush që e rriti partinë për 70%.

“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritet 70% me kërku me u shkarku? Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë, jo kur e rritë. Nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, tha ai për rtv21.

Reagim pati edhe nga nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila e ka quajtur “kërkesë qesharake” deklarimin e zyrtarit të kësaj partie, Avdullah Hoti, që të ndërrohet lidershipi i partisë.

Ajo ka deklaruar për KOHËN se strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë Lumir Abdixhikut si kryetar i partisë, duke shtuar se ai “e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes”.

“Si nënkryetare e LDK, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12%, dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, ka thënë ajo të martën.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në reagimin e tij, i ka renditur edhe disa arsye se pse duhet të  vjen lidershipi i ri në parti.

“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, tha Hoti.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja”.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë”.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë”, shkroi mes tjerash Hoti.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës, është renditur e treta, duke marrë 171 mijë e 357 vota, apo 18.27 për qind.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LDK-ja pati 12.73%, apo 110 mijë vota.