Kryediplomatja në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në aeroportin e Prishtinës presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila nisi vizitën e saj në Kosovë.
Duke i uruar mirëseardhje, Gërvalla shkroi se ajo po e gjen Kosovën duke konsoliduar reformat e duke u përafruar me standardet e BE-së. Po ashtu, Gërvalla tha se po punojnë “ngushtë” me Komisionin Europian për zbatimin e Planit të Rritjes, një plan që në shtetet e rajonit veçse ka nisur të zbatohet.
E vetmja kërkesë e BE-së në këtë rast për t’ia dhënë paratë Kosovës nga kjo pako është krijimi i një qeverie të re me mandat të plotë pasi kjo çështje u zvarrit me muaj nga shkurti.
“Mirë se vini në Republikën e Kosovës, znj. Ursula von der Leyen. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” pata nderin ta mirëpres znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian. Vizita e saj në Prishtinë vjen në një moment kur Kosova po konsolidon reformat, forcon sundimin e ligjit dhe thellon përafrimin me standardet e BE-së. Si partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, po punojmë ngushtë me Komisionin Evropian për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, programit IPA III dhe hapat e qasjes graduale në tregun e përbashkët, me rezultate të matshme për qytetarët tanë, duke afruar edhe më tej integrimin tonë evropian”, shkroi Gërvalla.
Presidentja von der Leyen nuk po e takon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në zyrën e tij, por në një sallë të Kuvendit për shkak të një vendimi të BE-së që zyrtarët e saj të mos shkojë në qeveri derisa atje të ketë një të re legjitime me mandat të plotë.
Nga aeroporti presidentja e KE-së shkoi në Presidencë për takim me presidenten Vjosa Osmani./Express/