Mijëra palestinezë kanë nisur të kthehen në Gaza, në rrënojat e shtëpive të tyre të braktisura, pasi armëpushimi hyri në fuqi dhe trupat izraelite filluan të tërhiqeshin, sipas marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës.
Një kolonë e madhe njerëzish u nis në këmbë në veri, përgjatë vijës bregdetare të Gazës, zona më e madhe urbane, e cila ishte sulmuar vetëm disa ditë më parë, në një nga ofensivat më të mëdha të Izraelit gjatë luftës.
“Falë Zotit që shtëpia ime është ende,” tha Ismail Zayda, 40 vjeç, në lagjen “Sheikh Radwan” të qytetit të Gazës.
“Por vendi është shkatërruar, shtëpitë e fqinjëve të mi janë shkatërruar, lagje të tëra janë zhdukur.”
Në jug, po ashtu drejt lagjes “Khan Younis”, ishin nisur mijëra njerëz, këtë lagje forcat izraelite e kishin rrafshuar në fillim të këtij viti.
Sipas Reuters, shumica e qytetarëve të Gazës ecnin në heshtje.
Një burrë në moshë të mesme, Ahmed al-Brim, po shtynte një biçikletë me copa druri të lidhura përpara dhe prapa, familjes së tij do t’i duheshin dru zjarri për të gatuar.
Ishte e tëra që kishin mundur ta nxirrnin nga rrënojat e shtëpisë së tyre.
“Shkuam në zonën tonë. U shfaros. Nuk e dimë se ku do të shkojmë pas kësaj”, tha ai.
“Nuk mundëm të merrnim mobilje, rroba apo asgjë tjetër, madje as rroba dimërore. Nuk ka mbetur asgjë”, tha Al-Brim.
Ushtria izraelite tha se marrëveshja e armëpushimit ishte aktivizuar në mesditë, sipas orës lokale.
Faza e parë e planit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe grupit militant Hamas, u jep trupave izraelite 24 orë kohë për t’u tërhequr nga pozicionet në zonat urbane – megjithëse ato do të mbajnë ende më shumë se gjysmën e Gazës.
Në një fjalim televiziv, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se forcat izraelite po qëndrojnë në Gaza për të siguruar që Hamasi të çarmatosej: “Nëse kjo arrihet në mënyrën e lehtë, atëherë kjo do të jetë mirë, dhe nëse jo, atëherë do të arrihet në mënyrën e vështirë,” shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.











