“Në vitin 2030 mikpritës i garave të Formula 1”, Edi Rama prezanton projektin e Automotoparkut të Elbasanit

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar të premten në Elbasan projektin për ndërtimin e Automotoparkut, i cili do të shërbejë si një kompleks sportiv ndërkombëtar, sipas standardeve më të larta të FIA-s dhe FIM-it dhe që sipas kreut të qeverisë do të mirëpresë edhe garat më prestigjioze të Formula 1.

Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi projektin si një motor të ri për ekonominë e vendit, ndërsa ritheksoi se gara e Formula 1 në Elbasan do të ndiqet nga 1 miliardë njerëz në mbarë botën.

“Ne po zhvillojmë projektin Auto Moto Park, një projekt plotësisht i detajuar në bashkëpunim me Formula 1, duke ndjekur të gjitha sugjerimet apo duke adresuar të gjitha kritikat e ekipit të vënë në dispozicion të këtij projekti nga drejtori ekzekutiv i Formula 1”, ka thënë fillimisht Rama.

“Ambicia është që Shqipëria 2030 të jetë vendi pritës i garës së Formula 1, diçka e paimagjinueshme për një investim të ri deri pak kohë më parë. Ky projekt është një ekonomi, jo një garë makinash, sepse gjatë 360 ditëve të vitit, ky projekt do të krijojë një destinacion, ku siguria rrugore do të jetë në qendër të tij dhe nga fëmijët e vegjël e deri tek të rriturit që drejtojnë një makinë, ata do të duhet t’i referohen kësaj qendre për testet përkatëse që do të jenë pjesë e të qenit anëtar i BE-së. Është ndërtuar projekti që brenda vetë familjes “Formula 1 është inovative për një sërë zgjidhjesh që janë sugjeruar nga stafi teknik i Formula 1”.

Rama theksoi më tej se projekti i Automotoparkut çon më tej vizionin për bashkimin e Elbasanit me Tiranën si një metropol i dekadës së ardhshme.

“Po ecim përpara për të çuar më tej vizionin e bashkimit të Tiranës me Elbasanin dhe bashkimin e Elbasanit me Tiranën si gjymtyrë e një metropoli që po merr formë gjithnjë e më shumë si metropol i dekadës së ardhshme me qendër Tiranën, me portin detar të Durrësit dhe shtrirjen në verilindje në Dibër dhe me këtë krah në Elbasan, ku infrastruktura të rëndësishme si rrjeti ekzekutiv i korridoreve evropiane, korridori 8 dhe korridore tjera”, përfundoi shefi i ekzekutivit.