Në tribunat e stadiumit të dehur dhe me kostumin e Boratit, arrestohen tre tifozët belgë

Duhej të ishte një mbrëmje feste, brenda dhe jashtë fushës, e ndihmuar edhe nga paraqitja pozitive e skuadrës së tyre të zemrës. Por për tre tifozë belgë të Club Brugge, transferta në Kazakistan u shndërrua në një gjysmë makthi.

Nga fitorja 4-1 ndaj Kairat Almaty, që ringjalli shpresat për kualifikimin në “play off”-et e Champions League, ata do të mbajnë mend shumë pak. Shkak u bë një episod në dukje i pafajshëm. Pas nisjes së ndeshjes, grupi i tifozëve në sektorin e miqve në “Astana Arena” u zhvesh dhe mbeti vetëm me një “mankini” jeshil që mbulonte pjesët intime.

Kostumi ishte një referencë e qartë ndaj filmit “Borat” (2006), i konsideruar fyes në Kazakistan për stereotipet ndaj popullsisë lokale. Gjatë ndeshjes ndërhyri policia e Astanës, e cila i arrestoi për sjellje shqetësuese dhe prishje të rendit publik. Dënimi për ta u shqiptua 5 ditë burg.

Një precedent me tifozë të veshur si Borat ka pasur edhe në Itali. Një tifoz kuqezi e përdori atë lloj veshjeje për të festuar titullin e Milanit në vitin 2022.

The post Në tribunat e stadiumit të dehur dhe me kostumin e Boratit, arrestohen tre tifozët belgë appeared first on Telesport.