Në tenderin 8 milionësh, Ministria e Bujqësisë shton kritere- kërkesat për certifikata ISO bien ndesh me interpretimin e KRPP-së

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, nën udhëheqjen e ministrit në detyrë Faton Peci, ka shpallur një tender rekord prej 8 milionë euro për ndërtimin e tri objekteve administrative: MBPZHR, AZHB dhe APK. Dy herë radhazi, ministria ka bërë ndryshim kriteresh, shkruan Demokracia.com

Projekti ka një kohëzgjatje të parashikuar prej 36 muajsh. Ky është një nga tenderët më të mëdhenj të kohëve të fundit në Kosovë dhe për këtë arsye kërkon vëmendje të veçantë mbi kriteret e kërkuara për pjesëmarrje nga operatorët ekonomikë (OE).

Në dosjen e tenderit, Ministria ka kërkuar që operatorët ekonomikë të posedojnë një sërë certifikatash profesionale ISO, përfshirë:

  • ISO 9001 për menaxhimin e cilësisë,
  • ISO 14001 për menaxhimin e mjedisit,
  • ISO 45001 për shëndetin dhe sigurinë në punë,
  • ISO 9606-1 për saldim, dhe
  • ISO 50001:2018 për auditim të energjisë në ndërtesa.

Madje, kërkesat shkojnë edhe më tej: në rast se tenderit i përgjigjet një grup i operatorëve ekonomikë (konsorcium), Ministria ka kërkuar që të gjitha këto certifikata t’i posedojnë të gjithë anëtarët e grupit, e jo vetëm operatori lider apo ai që kryen punët ndërtimore.

KRPP: Kërkesat për certifikata pa lidhje me kontratën janë diskriminuese

Këshilli Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka dhënë një interpretim zyrtar më 9 qershor 2023, ku theksohet qartë se nuk lejohet vendosja e certifikatave ISO që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e kontratës.

Në këtë interpretim, KRPP ka paralajmëruar se shumë autoritete kontraktuese po vendosin kritere të panevojshme, duke përfshirë certifikata që “nuk kanë asnjë lidhshmëri ndërmjet lëndës së aktivitetit të prokurimit dhe cilësisë së synuar”.

“Të gjitha kriteret e përzgjedhjes duhet të jenë drejtpërdrejt relevante dhe proporcionale me lëndën e kontratës përkatëse”, thuhet në interpretimin e KRPP-së, duke iu referuar nenit 51 të Ligjit për Prokurim Publik.

KRPP ka kërkuar që autoritetet publike të kërkojnë vetëm ato certifikata që janë ngushtë të lidhura me cilësinë dhe kualitetin e lëndës së prokurimit, duke paralajmëruar masa ndaj atyre që vazhdojnë të përdorin kërkesa kufizuese.

“Bazuar në këtë, KRPP rekomandon zyrtarët e prokurimit që me rastin e vendosjes së kritereve apo kërkesave kualifikuese të kenë parasysh që mund të kërkohen vetëm ato Certifikata që janë ngushtë të lidhura me sigurimin e cilësisë dhe kualitetit të lëndës së prokurimit”.

Pra, KRPP ka precizuar vetëm ato “që mund të kërkohen vetëm ato Certifikata që janë ngushtë të lidhura me sigurimin e cilësisë dhe kualitetit të lëndës së prokurimit”.

Në rastin konkret, certifikata ISO 9606-1 (që ka të bëjë me proceset e saldimit në industri metalike) dhe ISO 50001:2018 (për menaxhimin e energjisë dhe auditim energjetik në ndërtesa) nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me një objekt të zakonshëm administrativ.

Këto dy kërkesa janë shtuar më pas, pasi në njoftimin për kontratë të datës 3 tetor 2025 për këtë aktivitet prokurimi nuk kishin figuruar. Ministria ka ngarkuar formularin standard për korrigjimin e gabimeve në njoftimin për kontratë, duke i shtuar ato dhe disa të tjera. Po ashtu, kërkesa që të gjithë anëtarët e një konsorciumi të kenë të gjitha certifikatat, pavarësisht nga roli i tyre në projekt, shihet si joproporcionale dhe kufizuese, pasi e pamundëson pjesëmarrjen e operatorëve që kanë kapacitete ndërtimore, por jo çdo lloj certifikate ISO.

Kriteret e reja të shtesuara pas versionit fillestar

  1. Përshtatshmëria ligjore (Kërkesat e përshtatshmërisë)

Në versionin e ndryshuar janë futur kërkesa ligjore shtesë për operatorin ekonomik, që nuk ishin në versionin fillestar:

  • OE duhet të përmbushë kërkesat e nenit 65 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) dhe ligjet plotësuese (Nr. 04 L-237, Nr. 05 L-068 dhe Nr. 05 L-092).
  • Dorëzimi i deklaratës nën betim (Aneksi 2) për të konfirmuar përputhshmërinë.
  • Vërtetime nga gjykata apo autoritetet administrative për situatën ligjore të operatorit ekonomik dhe drejtuesve të tij.
  • Vërtetim nga Administrata Tatimore për statusin e tatimeve dhe kontributeve.

Ky grup kërkesash ligjore nuk ishte pjesë e versionit fillestar, ku ishte fokusuar më shumë tek kapaciteti financiar dhe profesional.

  1. Kapaciteti teknik dhe profesional

Në pjesën e certifikimeve ISO, versioni i ndryshuar ka shtuar dy certifikata që nuk ishin në versionin fillestar:

  • ISO 9606-1 – certifikatë për saldim
  • ISO 50001:2018 – certifikatë për auditim të energjisë në ndërtesa

Këto janë shtesa të reja, duke e bërë kriterin teknik më të rreptë.
Certifikatat fillestare (ISO 9001, ISO 14001, ISO 45001) mbetën të pandryshuara.

  1. Stafi teknik dhe profesional

Disa kërkesa për staf janë pakësuar në gjuhë ose janë modifikuar lehtësisht, por numri dhe rolet kryesore mbeten të njëjta.
Shtesat kryesore:

Theks më i madh në vërtetimin e dokumenteve dhe CV-së, duke përfshirë:

Certifikata/licenca të stafit profesional dhe teknik

CV dhe përvoja profesionale e detajuar

Kontroll shtesë fizik për dokumentet (mund të kërkohen nga Autoriteti Kontraktues)

Ky tender konsiderohet një ritender, pasi Ministria e Bujqësisë, nën udhëheqjen e ministrit në detyrë Faton Peci, kishte tentuar vitin e kaluar të realizonte ndërtimin e të njëjtave tri objekte përmes një tenderi të hapur. Ai tender, me fond fillestar pak mbi s 800,000 euro, u anulua në ditën e fundit të vitit, më 31 dhjetor, me arsyetimin se Qeveria kishte tërhequr fondet e parashikuara. Megjithatë, vetë ministria vazhdoi të përgatitë procesin për ndërtimin e tri objekteve, duke e shpallur këtë vit një tender të ri me vlerë shumë herë më të lartë, 8 milionë euro, duke ngritur pyetje mbi ndryshimin dramatik të buxhetit dhe kriteret e pjesëmarrjes.

Në këtë kontekst, tenderi aktual vjen pas një serie të gjatë problemeve që lidhen me menaxhimin e projekteve nga Ministria e Bujqësisë. Gjatë vitit të kaluar, ministria ka mbyllur përfundimisht disa biznese që ndodheshin në vendin ku do të ndërtoheshin objektet e reja, përfshirë pompën e derivateve “Patroni” në magjistralen Prishtinë–Fushë Kosovë, përballë objektit të AKI-së.

Edhe pse dy biznese u larguan që kohë më parë, rrënimi i objekteve ekzistuese nuk ka ndodhur, ndërkohë që një pompë tjetër u ngrit pranë.

Tenderi i shpallur më 13 gusht 2024 për rrënimin e objekteve me një fond prej vetëm 90,000 eurosh ishte bllokuar nga një seri ankesash të operatorëve ekonomikë, të cilët pretendojnë se kritere të paligjshme dhe diskriminuese favorizojnë një kompani të caktuar. Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kishte urdhëruar disa herë ministrinë të rishikojë dosjen e tenderit, por përmirësimet nuk janë zbatuar në tërësi, duke krijuar një “ping-pong” burokratik që ka penguar realizimin e projektit.

Megjithatë, pas shumë përpjekjesh dhe ankesash, OSHP ka lënë në fuqi vendimin e ministrisë për të vazhduar procesin, i cili aktualisht nw fazen e aplikimit për tender. Përzgjedhja e fituesit pritet të marrë shumë kohë dhe nuk përjashtohet mundësia e ankesave të reja. /Demokracia.com/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Para

Kapaciteti teknik dhe profesional: Dëshmia e kërkuar dokumentare: Kërkesa 1 Operatori ekonomik duhet të dëshmoj se është i certifikuar me këto standarde profesionale • ISO 9001 – certifikatë për sistemin e menaxhimit të cilësisë, • ISO 14001 – certifikatë për sistemin e menaxhimit të mjedisit, • ISO 45001 – certifikatë për sistemin e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë, Në rast të konsorciumit, kërkohet për të gjithë anëtaret e grupit.

 

E dyta

Kërkesa 1 Operatori ekonomik duhet të dëshmoj se është i certifikuar me këto standarde profesionale • ISO 9001 – certifikatë për sistemin e menaxhimit të cilësisë, • ISO 14001 – certifikatë për sistemin e menaxhimit të mjedisit, • ISO 45001 – certifikatë për sistemin e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë, • ISO 9606-1 certifikatë për saldim • ISO 50001 2018 certifikatë për Auditim të Energjisë në ndërtesa Në rast të konsorciumit, kërkohet për të gjithë anëtaret e grupit., Dëshmitë për kërkesën nr. 1 Certifikata profesionale valide, origjinale ose e noterizuar. Certifikatat duhet ti kenë të gjitha shënimet e detajuar për verifikim. Autoriteti kontraktues rezervon të drejtën për informacione shtesë nga Institucioni për lëshimin e këtyre Certifikatave