Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit është vendosur që në shkurt të jepet deklarata përmbyllëse e palëve në këtë rast.
Sipas vendimit të trupit gjykues, nga 9 deri më 13 shkurt 2026 planifikohet që të jepen deklaratat përmbyllëse.
Ndërsa, mbyllja zyrtare e provave të mbrojtjes do të bëhet deri me 2 dhjetor 2025 ose në ditën e parë të punës pas lëshimit të vendimit të fundit prej Trupit Gjykues mbi kërkesat e mbetura për pranimin e provave, cilado data jetë më e hershme.
Ndërsa, dosjet gjyqësore përfundimtare si dhe deklaratat për pasojat e krimeve të pretenduara ndaj viktimave pjesëmarrëse do të dorëzohen deri me 19 janar 2026, raporton Betimi për Drejtësi.
Kurse, është hedhur poshtë kërkesa e Mbrojtjes për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me aktgjykimin, dhe duke urdhëruar palët që të përfshijnë çdo parashtrim lidhur me përcaktimin e dënimit në dosjet gjyqësore përfundimtare të tyre.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Steëart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Ëesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Ëesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.











