Në sezonin e tretë të Squid Game po rikthehen personazhet e ‘urryer’, por në një formë të re ‘interesante’

Fansat e Netflix-it më në fund morën lajmin që kishin pritur: traileri i parë i sezonit të tretë të Squid Game sjell rikthimin befasues të disa prej personazheve të vjetër.

Traileri, i publikuar më herët këtë javë, paralajmëron rikthimin e të ashtuquajturve VIP-a në ekran, një element që mungoi në sezonin e dytë të serialit.

Squid Game, thrilleri distopik nga Koreja e Jugut, i cili u publikua për herë të parë në vitin 2021 dhe u përball me një sukses të jashtëzakonshëm, rrëfen historinë e 456 lojtarëve në vështirësi financiare që marrin pjesë në një seri lojërash vdekjeprurëse, ku fituesi i vetëm merr një çmim të madh në para.

VIP-at, të cilët shfaqen të maskuar, janë spektatorë të pasur dhe anonimë për të cilët organizohen lojërat.

Edhe pse ata nuk u panë në sezonin e dytë, duket se do të rikthehen në sezonin e tretë që pritet të publikohet në Netflix më 27 qershor.

Në sezonin e parë, këta personazhe nuk u pritën mirë nga audienca – për shkak të maskave të çuditshme dhe aktrimit të perceptuar si jo natyral, veçanërisht në pjesën e dialogëve në anglisht, në një serial që përndryshe është në gjuhën koreane.

Kritikët dhe shikuesit vlerësuan se dialogët në anglisht nuk kishin rrjedhshmërinë e duhur dhe se aktorët anglezë nuk kishin të njëjtin nivel me pjesën tjetër të kastit.

Megjithatë, me një rikonstruksion të dukshëm të këtyre personazheve në sezonin e ri, fansat janë më të hapur dhe të gatshëm t’i japin një tjetër shans këtij aspekti të serialit.

Siç vëren edhe komentatorja e kulturës pop dhe asaj koreane, Kayti Burt: “Fenomeni i aktrimit të dobët në gjuhë të huaj nuk është specifik për Squid Game dhe as për Korenë”.