Në Serbi përhapet sëmundja e kafshëve, Kosova ndalon importin nga ky shtet

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht importin e kafshëve të gjalla; gjedhe, dele, dhi dhe produkteve të derrit nga i gjithë territori i Serbisë. Ky vendim u mor pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjeve Gjuha e Kaltër (BT) dhe Murtaja Afrikane e Derrit (ASF) në Serbi, me qëllim parandalimin e përhapjes së këtyre sëmundjeve në Kosovë.

 

“Autoritetet kufitare në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Policia e Kosovës, Doganat dhe AUV janë urdhëruar të rrisin masat e kontrollit në të gjitha pikat kufitare për të ndaluar importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të derrit që vijnë nga Serbia. Kontroll i shtuar do të bëhet edhe në bagazhet personale të pasagjerëve për të parandaluar hyrjen e produkteve bartëse të Murtajës Afrikane të Derrit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga AVU.

Në bazë të këtij vendimi, thuhet se qytetarët nuk lejohen të kalojnë kufirin me produkte të derrit me origjinë nga Serbia, madje edhe në formë ushqimesh gjatë udhëtimeve.

Kujtojmë se “Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virale që prek ruminantët si gjedhet, delet dhe dhitë, dhe transmetohet nga mushkonjat e llojit Colicoides.  Murtaja Afrikane e Derrit është një sëmundje infektive virale me ngordhshmëri të lartë, që prek derrat e egër dhe shtëpiakë. Të dyja sëmundjet nuk transmetohen tek njerëzit dhe nuk paraqesin rrezik për shëndetin publik.

Agjencia dhe autoritetet apelojnë për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar nga të gjithë për parandalimin e përhapjes së këtyre sëmundjeve.

The post Në Serbi përhapet sëmundja e kafshëve, Kosova ndalon importin nga ky shtet appeared first on Kosovapost.net.