Në selinë e KFOR-it në Prishtinë, me ceremoni mirëpritet Republika Sllovake si vend kontribues me trupa

Në selinë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, në Camp Film City në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e ngritjes së flamurit për të mirëpritur Republikën Sllovake si vend kontribues me trupa.

Në njoftimin e KFORI-t bëhet e ditur se, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, që kryesoi ceremoninë e mirëpriti personelin e Sllovakisë dhe theksoi se kjo shtesë e re është një tjetër demonstrim i prekshëm i angazhimit të palëkundur të Aleancës Atlantike për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet rajonal.

Tutje, bëhet e ditur se KFOR-i tani përbëhet nga mbi 4700 trupa nga 33 vende kontribuese me trupa, gjashtë prej të cilave iu bashkuan KFOR-it në një vit e gjysmë të fundit, duke përfshirë Francën dhe Portugalinë – përkatësisht në janar dhe shtator 2024 – dhe Belgjikën, Luksemburgun dhe Holandën muajin e kaluar.

“KFOR-i vazhdon të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, shkruhet ndër tjerash në njoftimin e KFOR-it.