Në rastin Thaçi dhe të tjerët, ekipet e mbrojtjes planifikojnë të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët për rrëzimin e akuzave

Në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, më 23 prill, Gjykata pranoi tërheqjen e një prej viktimave nga procesi gjyqësor, duke vlerësuar se viktima nuk duhej të detyrohej të merrte pjesë.

Vendimi konfirmon që pjesëmarrja e viktimave në këtë proces bazohet në vullnetin e tyre dhe respektimin e të drejtave të tyre procedural, u bë e ditur gjatë konferencës javore nga Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep.

Po ashtu, zëdhënësja Griep njoftoi së më 29 prill, Trupi Gjykues rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Veselit për të apeluar një urdhër gojor lidhur me refuzimin e një kërkese që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të dorëzonte të gjitha shënimet nga takimi përgatitor me një dëshmitar.

Sipas Gjykatës, dokumenti për të cilin bëhej fjalë ishte tashmë në zotërim të mbrojtjes — bëhej fjalë për deklaratën e dhënë nga dëshmitari në vitin 2001.

Në të njëjtën datë, Trupi Gjykues rrëzoi edhe kërkesën e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të apeluar pranimin si provë të deklaratës së mëparshme të një dëshmitari të thirrur nga Prokuroria. Dëshmitari kishte refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve të Prokurorisë, por Gjykata vlerësoi se mbrojtja kishte pasur mundësinë të kryente pyetje dhe se vlefshmëria e deklaratës do të vlerësohet më vonë, në kuadër të shqyrtimit të përgjithshëm të provave.

Grip po ashtu beri të ditur se gjatë një konference për ecurinë e çështjes në rastin Thaçi dhe të tjerët, ekipet e mbrojtjes deklaruan se planifikojnë të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët për rrëzimin e akuzave deri më 2 qershor, afat i caktuar nga Gjykata. Prokuroria do të ketë 30 ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesës. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, do të jetë radha e Mbrojtësit të Viktimave për paraqitjen e provave të tij, raporton “Betimi per Drejtesi”.

Gjatë konferencës u tha se në një tjetër proces paralel që përfshin Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin lidhur me pretendimet për ndikim ndaj dëshmitarëve, Hashim Thaçi më 15 prill deklaroi pafajësinë për të gjitha akuzat.

Ndërkohë, më 24 prill, kryetarja e Gjykatës Ekaterina Trendafilova caktoi Panelin e Apelit për të shqyrtuar kërkesën e Fadil Fazliut për shtyrje të afatit për apelimin e vazhdimit të paraburgimit. Më 25 prill, Paneli e refuzoi këtë kërkesë me arsyetimin se ishte dorëzuar pas afatit dhe nuk paraqiste arsye të vlefshme për vonesën. Gjithsesi, Gjykata theksoi se çështja e paraburgimit rishqyrtohet çdo dy muaj dhe mbrojtja mund të paraqesë argumentet e saj më së voni deri më 5 maj.

Në fund të kësaj konference u tha se kryetarja Trendafilova caktoi gjithashtu Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar kërkesën e Salih Mustafës.

Mustafa pretendon se vendimi i fundit i Gjykatës Supreme, i datës 25 shkurt, ka shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore. Paneli përbëhet nga gjyqtarët Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Pjotr Hofmanski.