Në QNR përfundon rinumërimi i 5 vendvotimeve, vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur rinumërimi i 5 vendvotimeve, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Vendvotimet e rinumëruara janë nga komunat Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06), Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02).

Rezultatet e rinumërimit janë publikuar në platformën zyrtare të rezultateve në rubrikën “Rezultatet QNR – Rinumëruara”.

Në të njëjtën kohë, në QNR po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht, ndërsa pas përfundimit të tij pritet të fillojë numërimi i fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta.

Edhe këto rezultate po publikohen në platformën online, në seksionin “Rezultate QNR – Votimi me kusht”.

Votimi me kusht u zhvillua në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta u realizua jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në fillim, do të numërohen fletëvotimet me kusht nga komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, ku tashmë është përmbyllur skanimi i listave të votuesve.

Në total, në votimin me kusht janë mbi 2,119 zarfe me fletëvotime që i përkasin dy llojeve të zgjedhjeve, ndërsa numri i votuesve me nevoja të veçanta të regjistruar është mbi 3,467.

Gjithashtu, në QNR po zhvillohet edhe procesi i skanimit të Listës së Votuesve, i cili është një hap kyç për garantimin e integritetit të zgjedhjeve.

Kjo procedurë lejon krahasimin e votuesve në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht, për të identifikuar rastet eventuale të votimit të dyfishtë. /