Në prag të ditës së zgjedhjeve për rundin e dytë në Prizren, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe mbështetësve të saj, në përkrahje të kandidatit për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK. “Nesër është dita vendimtare për ta dëshmuar angazhimin tonë në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK, dhe për ta mbështetur z. Totaj për kryetar të Prizrenit,” thuhet në njoftimin e LDK-së. Subjekti ka kërkuar nga të gjitha strukturat që të jenë të pranishme dhe aktive gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve. “Ju lusim që gjatë ditës së nesërme të aktivizoheni maksimalisht, të kontaktoni kryesitë e nëndegëve dhe përkrahësit tanë, dhe të sigurohemi që çdo votë e jona të jetë e pranishme dhe e numëruar,” theksohet në njoftim. Në fund, LDK ka përcjellë një mesazh të qartë për unitet dhe bashkëpunim: “Ky është momenti për angazhim dhe për fitore të përbashkët. Fitore✌️”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbyllur fushatën zgjedhore në Mitrovicë, ku tha se qyteti është gati për ta zgjedhur Arian Tahirin si kryetar të ardhshëm.

“Në një atmosferë të jashtëzakonshme, mbyllëm fushatën në Mitrovicë, qytetin e krenarisë, të punës dhe të dinjitetit. Nesër, mijëra qytetarë të Mitrovicës do të dalin për të votuar Arian Tahirin,” shkroi Krasniqi.

Ai theksoi se Mitrovica nuk thyhet, nuk frikësohet dhe nuk blihet, duke e cilësuar këtë qytet si simbol të qëndresës dhe të njerëzve me dinjitet.

Krasniqi falënderoi të gjithë qytetarët dhe aktivistët që janë bashkuar në përkrahje të kandidatit të PDK-së, duke shtuar se “ky është qyteti i Isa Boletinit, i Mehë Ukës, i Kadri Veselit dhe i Bedri Hamzës – dhe tash do t’i japë besimin njërit prej djemve të saj më të mirë, Arian Tahirit.”

“Faleminderit nga zemra për këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, Mitrovicë,” përfundoi Krasniqi.