Në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës organizoi një pritje zyrtare për të shënuar 26-vjetorin e intervenimit të NATO-s, një moment historik që çoi në çlirimin e vendit nga regjimi serb.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti falënderoi të gjithë ata që kontribuan në luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke theksuar rolin vendimtar të 19 shteteve anëtare të NATO-s që, më 1999, u bashkuan për t’i dhënë fund gjenocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviqit.
“Çlirimi i popullit tonë, me 12 qershor 1999, erdhi pas 78 ditëve të bombardimeve mbi Serbinë dhe pozicionet e saj ushtarake në territorin e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se çdo vit e më shumë, përpjekjet e Serbisë dhe Rusisë për të rishkruar historinë nënvizojnë rëndësinë e përkujtimit të kësaj dite.
Kryeministri kujtoi se gjatë viteve 1998–1999, Kosova përjetoi gjenocid dhe spastrim etnik, me qindra masakra, mbi 12 mijë civilë të vrarë, 20 mijë raste të dhunës seksuale dhe afro 860 mijë të dëbuar jashtë vendit.
Ai theksoi se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare për themelimin e shtetit të Kosovës, duke nënvizuar se “suksesi i Kosovës është edhe sukses i NATO-s.”
Në përmbyllje, Kurti deklaroi se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe NATO-s është një lidhje e pandashme që nga çlirimi e deri në synimin për anëtarësim të plotë, duke e përshkruar atë si një partneritet të natyrshëm për të ardhmen.
The post Në prag të Ditës së Çlirimit, Kosova nderon 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s appeared first on Kosovapost.net.