Gjatë katër muajve të 2025-s, 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës. Ndërkaq në Polici janë raportuar 37 raste për rrezikim të sigurisë në vendin e punës. Një ditë para shënimit të 1 Majit, sindikalistë e aktivistë të shoqërisë civile alarmuan për kushte të rënda të punëtorëve
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, përfaqësues sindikatash dhe të shoqërisë civile vlerësuan se siguria në punë, mungesa e kontratave dhe orari i zgjatur janë sfida me të cilat vazhdojnë të përballen punëtorët.
Egzon Osmanaj, menaxher i Fondacionit Friedrich Ebert, thotë se më shqetësues mbetet numri i të vdekurve dhe të lënduarve gjatë aksidenteve në vendin e punës.
“Ne kemi çdo vit vdekje për shkak të aksidenteve në vend të punës e që janë lehtësisht të shmangshme, por nuk ndërmerren masa ose nuk ofrohen kushtet më bazike, siç janë ato që lidhen me sigurinë në punë nga punëdhënësit”, ka thënë Osmanaj.
Gjatë katër muajve të 2025-s, 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës.
Gersi Gashi, drejtor për Zhvillim dhe Hulumtim në Qendrën për Politika dhe Avokim, thotë që përpos aksidenteve në vendpunishte, punëtorët jo rrallëherë operojnë edhe nëpër vende që rrezikojnë shëndetin, e të cilët janë pak të mbrojtur.
“Në vendet ku përdoren kimikate të ndryshme dhe shfaqen sëmundje respiratore e deri te kanceri – nuk është studiuar në masë se sa punëtorë janë duke vuajtur nga sëmundjet profesionale, edhe nuk kemi ende listë të sëmundjeve profesionale”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se në sektorin privat nuk është zbatuar as Ligji për pagën minimale.
“Që nga ardhja e kësaj qeverie është ndryshuar paga minimale dhe po shihet që kjo nuk po respektohet dhe po përkthehet me ikjen e qytetarëve jashtë shteti”, ka thënë Azemi. “Punëtorët që i kemi publiko-privat këta i kemi shumë keq. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale të jetë 350 euro, punëtorët e gjimnazit në Drenas paguhen me pagë 232 euro neto dhe punëtorët teknikë që punojnë në Universitetin e Prishtinës që janë diku rreth 400 teknikë, këta paguhen jashtëligjshëm 192 euro, përkundër asaj që i kemi njoftuar të gjitha institucionet për këto çka po ndodhin”.
Ai shtroi edhe një numër kërkesash, raporton koha.net.
“Kërkesa kryesore do të jetë që paga minimale të jetë 600 euro. Të punohet më shumë mbi ligjin e sigurimeve shëndetësor. Të jemi të barabartë me punëtorët e sektorit publik, sidomos te pjesa e stazhit, pasi punëtorët e sektorit privat rreth 95 për qind nuk e gëzojnë këtë të drejtë, ndërsa ligji e thotë qartë. Kemi probleme që edhe pushimet janë vetëm nga 12 ditë dhe jo ashtu siç e thotë ligji”, ka thënë Azemi.
E në bazë të të dhënave të Policisë, prej muajit janar e deri në mars të këtij viti, janë 37 raste të raportuara për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Ndërsa, sipas statistikave të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, në tetë vjetët e fundit 140 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.