Në OKB e Nju Jork përkujtohet gje*ndocidi në Srebrenicë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Komemorimit të Gjenocidit në Srebrenicë, është organizuar një numër i madh tubimesh, përfshirë edhe ato në Nju-Jork, ku përveç përfaqësueses së Shoqatës së Nënave të Srebrenicës dhe Zhepës, mori pjesë edhe një delegacion nga Bosnja e Hercegovina, i kryesuar nga anëtari i Presidencës së Bosnjës, Denis Beçiroviq, si dhe ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës, Elmedin Konakoviq, si dhe zyrtarë të OKB-së dhe trupit diplomatik.

Nga data 6 deri më 9 korrik 2025, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Komemorimit të Gjenocidit në Srebrenicë të vitit 1995, në selinë e Kombeve të Bashkuara është mbajtur një sërë aktivitetesh, përfshirë ekspozitën me titull “Trashëgimia e shpresës pas gjenocidit në Srebrenicë: Udhëtimi i gjeneratës së re”, e cila u organizua në ndërtesën e OKB-së.

Të martën, më 8 korrik, u mbajt ceremonia qendrore përkujtimore me titull “Historia jonë, premtimi ynë”, si dhe ekspozita “Shamitë e kujtimit.”

Të pranishmëve iu drejtua Munira Subashiq, kryetare e Shoqatës – Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës.

“Korriku i vitit 1995 për Srebrenicën, dikur një qytet i qetë në lindje të Bosnjës, u bë sinonim i një prej krimeve më të tmerrshme në historinë moderne të Evropës. Zona e mbrojtur e OKB-së në Srebrenicë ra nën kontrollin e ushtrisë serbe të Bosnjës dhe brenda vetëm disa ditësh, 8.372 burra dhe djem boshnjakë u ndanë sistematikisht nga familjet e tyre dhe u ekzekutuan! Gjenocidi në Srebrenicë nuk ishte një akt dhune i rastësishëm, por një operacion i mirëplanifikuar dhe sistematik për shfarosjen e një populli, gjë që është konfirmuar edhe me aktgjykimin që e cilëson atë si gjenocid”, tha Subashiq.

Pas rënies së Srebrenicës më 11 korrik 1995, burrat dhe djemtë që u përpoqën të arratiseshin përmes pyjeve drejt territorit të lirë pranë Tuzlës, u kapën, u torturuan dhe u vranë. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan, shumë gra përjetuan poshtërim, dhunë dhe përdhunim.

Pas vrasjeve, trupat e viktimave u varrosën në varreza masive dhe më pas u zhvarrosën e u rivarrosën në varreza dytësore dhe tretësore, për të fshehur gjurmët e krimit, çka e ka bërë edhe më të vështirë identifikimin e viktimave, proces që vazhdon edhe sot. Çdo vit, viktima të reja zbulohen, identifikohen dhe varrosen në Qendrën Përkujtimore në Potoçari.

Ratko Mladiq, komandant i Ushtrisë së Serbëve të Bosnjës, dhe Radovan Karaxhiq, lideri politik i atëhershëm i serbëve të Bosnjës, janë dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit! Gjenocidi ndodhi para syve të bashkësisë ndërkombëtare, pavarësisht se Srebrenica ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por bashkësia ndërkombëtare nuk arriti ta parandalonte masakrën, as të mbronte civilët që ishin strehuar nën mbrojtjen e forcave të OKB-së në bazën e Potoçarit.

Megjithatë, edhe sot, tre dekada pas krimit , përballemi me mohimin e gjenocidit, relativizimin e krimeve, lavdërimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe mungesën e një përballjeje të sinqertë me të kaluarën. Për këtë arsye, kujtimi i Srebrenicës nuk është vetëm një detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, por edhe një betejë civilizuese për të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin e çdo qenieje njerëzore./rtk

The post Në OKB e Nju Jork përkujtohet gje*ndocidi në Srebrenicë appeared first on Kosovapost.net.