Në oborrin e UP-së mbillen 50 fidanë, kërkohet të shtohen hapësirat e gjelbra

Në oborrin e Universitetit të Prishtinës janë mbjellë 50 fidanë, me iniciativë të Klubit të Vrapimit “X Trailers” në kuadër të aktivitetit “Prishtina Trail Marathon”.

Këtij aksioni për mbjelljen e fidanëve iu bashkuan edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kushtrim Zevica, kryetar i këshillit organizativ të Klubit të Vrapimit “X Trailers”, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që të kontribuojnë në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për rolin dhe rëndësinë e natyrës në shëndetin e njeriut.

“Prishtina ka qenë njëra prej qyteteve e listuat se ka cilësinë e ajrit më të dobëta viteve të fundit dhe kemi dashtë që përmes vrapimit t’i kontribuojmë shtimit të hapësirave të gjelbra”.

“Qëllimi është që të kontribuojmë në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për rolin dhe rëndësinë e natyrës në shëndetin e njeriut gjithashtu elementet sportive janë inkurajim për qytetarët që të merren me sport”, tha ai.

Myrvete Badivuku – Pantina, prorektore në Universitetin e Prishtinës, u shpreh e kënaqur me organizimin e këtij aktivitetit, duke shpresuar që iniciativa të tilla të merren në vazhdimësi, raporton EO.

“Këtë aktivitet e vlerësoj shumë lartë dhe besoj që hapat e tillë në shoqëri do të vazhdojnë edhe më tutje. Dita e ditës ky varg i dashamirësve dhe kontribuuesve të ambientit është duke u rritur”.

Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, tha se janë të gatshëm që të ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit.

“Komuna e Prishtinës gjithmonë do të jetë e angazhuar që të ju ndihmojë në të gjitha sferat. Unë besoj që nga fillimi e keni pasur përkrahjen e drejtorisë së Sportit maksimale, drejtorisë së Parqeve gjithashtu edhe drejtorisë së Shëndetësisë”.

“Sot ndihem i privilegjuar të jem pjesë e juaj dhe pjesë e këtij grupi të madh në mbjelljen e 50 fidanëve në oborrin e kampusit Universitar”.

Isak Rakovica drejtor i “Hortikulturës”, tha se vetëm këtë vit kanë arritur që të mbjellin 8 mijë fidanë.

“Vetëm brenda këtij viti ne kemi mbjellë rreth 8 mijë fidanë në tërë qytetin e Prishtinës dhe planifikojmë edhe në sezonin vjeshtor të vazhdojmë, ku aksion i kësaj organizatë dhe shumë aksione të tjera janë përkrahëse po edhe shumë aksione tjera për të mirën e Prishtinës”.

“Duhet të pranojmë se në Prishtinë e kemi një situatë jo të mirë dhe duhet të luftojmë në të ardhmen me të gjitha mundësitë financiare dhe kapacitetin njerëzor që Prishtina të ketë ambient tjetër”.

Aksioni i sotëm do të vazhdojë edhe në vjeshtë më mbjelljen e fidanëve të sezonit vjeshtorë nga Klubi i Vrapimit “X Train”.

Related Posts