Me kontrolle falas Kosova po e shënon muajin e ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Kjo pasi Klinika e Onkologjisë po ofron kontrolle me ultrazë pa participim për të gjithë personat që vizitohen këtë muaj tek onkologu.
Këtë e ka konfirmuar në një intervistë për KosovaPress edhe Sonja Blakaj, onkologe, e cila ka thënë se është lajm i mirë që në Kosovë nuk ka rritje të personave të prekur me këtë sëmundje.
Meqenëse tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, Blakaj i kushton rëndësi të posaçme kësaj çështje, duke i ftuar gratë që të vetëkontrollohen, të kryejnë ekzaminimin klinik të gjirit nga një personel shëndetësor, e në rast nevoje të bëjnë edhe ekon e gjirit dhe mamografinë.
Ajo thotë se fakti se gjiri është organ që gjendet jashtë murit torakal, e bënë të lehtë për kontroll, meqenëse ndryshimet mund vërehen edhe në pamje.
Blakaj thotë se Klinika e Onkologjisë ofron të gjitha kushtet e nevojshme për diagnostifikimin e kësaj sëmundje dhe mjafton që gratë, të cilat janë më të prira të preken nga ky çrregullim i qelizave, të vizitohen me kohë tek mjeku.
Meqenëse tetori është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, ajo bënë të ditur se Klinika e Onkologjisë gjatë tërë muajit po ofron kontrolle falas për gratë që po kryejnë kontrollet në këtë klinikë.