Ne lamën e zgjedhjeve po tentohet “kontrabandimi” i drejtorit të AKP-së

Në fushatën e vitit 2021 për zgjedhjet parlamentare Albin Kurti kishte premtuar mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Për katër vite të plota në pushtet të liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje” AKP-ja jo që nuk është mbyllur, por ka vazhduar me procesin  e likuidimit të dhjetëra ndërmarrje shoqërore në vend.

Mbyllje të AKP-së nuk do të ketë as gjatë viteve në vijim, as pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 kur Lëvizja “Vetëvendosje” sërish ka dalë subjekti më i votuar në vend me më shumë se 40 për qind të votave të fituara. Kjo për faktin se pikërisht në fushatën e zgjedhjeve të fundit në Kosovë Bordi i AKP-së ka shpallur konkursin për zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv të AKP-së me mandat 4-vjeçar, me ç’rast konkursi ka qenë i hapur nga 28 janari-26 shkurt 2025.

Nëse procesi i zgjedhjes së drejtorit të AKP-së shkon sipas planit, ky i fundit do të merrë një kontratë 4-vjeçare para se të formohet Qeveria e re e Kosovës, pasi që ende nuk ka përfunduar numri i të gjitha votave të zgjedhjeve të mbajtura në fillim të shkurtit 2025.

Partitë opozitare e kritikojnë Kurtin për mosmbajtjen e premtimit për AKP-në dhe shtojnë se zgjedhja e drejtorit në kohën kur po numërohen votat e kandidatëve për deputet dhe të subjekteve politike po ndodhë për interesa të ngushta partiake të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Ferat Shala: Qeveria Kurti ka mashtruar qytetarët për mbylljen e AKP-së

Ferat Shala nga PDK-ja, i cili në legjislaturën e fundit e ka udhëhequr Komisionin për Ekonomi, Ndërmarrësi e Tregti, deklaroi për “Front Online” se AKP-ja nuk do të mbyllet, ashtu siç ka premtuar kryeministri Albin Kurti.

Hapjen e konkurseve për drejtor të kësaj agjencie, sipas Shalës, po ndodhin për interesa partiak e politik.

“S’kanë plan ta mbyllin AKP-në, por po vazhdojnë shitjen e aseteve me një sistem kontrolli mbi nivele politike. Edhe drejtorin e ri që disa herë hapin konkurs derisa t’i plotësojë kriteret njëri nga kandidatet e preferuar të tyre politik”, deklaroi Shala.

Shala akuzoi Qeverinë ‘Kurti’ për mashtrim lidhur me mbylljen e AKP-së.

Sipas tij, gjatë katër viteve të qeverisjes aktuale, kjo agjenci veç ka punësuar militantë të partisë në pushtet.

“Qeveria ka mashtruar opinionin me mbylljen e AKP-së. Ajo ka vazhduar punën njëjtë për të vazhduar shitjen e aseteve dhe likuidimin e tyre, asgjë s’ka ndryshuar përveç punësimeve të militantëve të VV-së. E keqja e ekonomisë është se asetet e AKP nuk janë funksionalizuar në kontest të zhvillimit ekonomik ”, shprehet Shala.

Ish-ministri Shatri: Lëvizja “Vetëvendosje” nuk dëshiron ta mbyllë AKP-në, premtim bosh i Kurtit

Ish-ministri i Financave, njëherit edhe ish-anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), Haki Shatri, ka folur për “Front Online” lidhur me dështimin e Qeverisë Kurti për të realizuar premtimin e saj për mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ai ka deklaruar se, pavarësisht premtimeve të shumta, AKP-ja ka vazhduar të funksionojë pa ndërprerje.

Këtë premtim të Kurtit, Shatri e ka cilësuar si bosh.

“Premtime boshe të kësaj Qeverie, se AKP ka vazhduar punën, ka shpallë shumë runde të privatizimit me dinamikë të njëjtë”, shprehet ai.

Ai ka shtuar se AKP vazhdon të shpallë konkurse për pozita drejtorësh, duke treguar se kjo agjenci do të vazhdojë të funksionojë për shumë vite.

Sipas Shatrit, Lëvizja “Vetëvendosje” s’ka dëshirë të mbyllet kjo agjenci.

“Këta po vazhdojnë me shpallë konkurse për drejtor. AKP do të vazhdojë edhe shumë vite të funksionoj, LVV nuk dëshiron ta mbyll AKP”, deklaroi Shatri.

Ish-drejtori i AKP-së: Shuarja e AKP-së premtim elektoral

Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Ekrem Hajdari, ka deklaruar për “Front Online” se mbyllja e AKP-së, si një premtim i Qeverisë Kurti, është thuajse e pamundur për t’u realizuar në mandatin e parë.

Mbyllja e AKP’së, si premtim për t’u realizuar në mandatin e parë të Qeverisë Kurti, ka qenë i pamundur. Fillimisht është paraparë që shumë asete do transferohen tek Fondi Sovran, dhe rrjedhimisht AKP do transformohet në një insitucion me karakter tjetër, organ ky i qeverisë që në fakt do duhej të administrojë me asetet e mbetura. Asete të këtilla nuk janë pak, ngase AKP ka në administrim edhe asete të atilla që janë më shumë barrë se sa vlerë”, thotë Hajdari.

Sipas Hajdarit, mbyllja e AKP-së brenda një periudhe më të shkurtër se 10 vjet është e pamundur, duke e cilësuar këtë premtim elektoral, pasi agjencia vazhdon të realizojë të njëjtat procese.

“Mbyllja/shuarja e AKP në një afat më të shkurtër se sa 10 vjet është e pamundur, kjo ka mbetur vetëm si premtim elektoral. AKP vazhdon të planifikojë akoma kryerjen e të njëjtave procese sikurse nga e kaluara. Ssgjë s’ka ndryshu”, shprehet ai!

Ai shtoi se AKP ka edhe shumë asete që janë më shumë barrë se sa vlerë dhe se proceset gjyqësore dhe kontestet ligjore, që përfshijnë edhe gjykatat ndërkombëtare, do të kërkonin shumë kohë.

“Shumë punë do ketë edhe me trajtimin apo përfaqësimin në proceset gjyqësore, padi dhe ankesa nëpër gjykata të niveleve të ndryshme (prej Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme e më poshtë tek gjykatat tjera). Ka edhe konteste gjyqësore nëpër gjykatat e shteteve të ish-Jugosllavisë ku AKP do duhej të kontribuonte në mbrojtjen dhe rikthimin e aseteve të NSH’ve tona në pronësi të AKP”, deklaroi ai. /FrontOnline/