Qytetarit paratë e shtëpisë po i përkthehen në para veç për rrymë të shtëpisë: me miratim të hapur, për të tretën herë, të qeverisë së votëbesuar për uljen e çmimit të energjisë.
Heshtja qeveritare që përkthehej në miratim pa bërë zë, u ndez në dritë të gjelbër për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në një shkrim të Ministrisë së Ekonomisë mbrëmë vonë.
ZRrE me amin-qeveritar KEDS’it: Go!
“Në koordinim të plotë me qeverinë”, thotë Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës për pajtimin, tashmë edhe eksplicit, nga qeveria kosovare ndaj ZRrE-s. Për këtë zyrë – që mban autoritet Rregullatori – Bajrami nuk sheh organ të pavarur, por të qeverisë.
“Ato janë një, kur vjen puna te ngritja e çmimit [të rrymës]”, na tha Bajrami.
Shenoll Muharremi, vështruesi e policuesi më i hollë i krejt gjendjes që po vjen me shtrenjtimin e tretë, shprehet “i dëshpëruar” me qëndrimin e dhënë dje nga Ministria e Ekonomisë.
Valë të re të inflacionit, Muharremi sheh pashkëputshëm nga ky vendim: dhe me të “shkatërrim të ekonomisë”.
“Literalisht propozimi i tyre është i padrejtë, dhe e shkatërron ekonominë – nuk na ndihmon”, tha Muharremi në një përgjigje për Nacionale.
“Jam i dëshprum me qëndrimin e tyre për shkak se s’kanë gjetë kurrëfarë zgjidhje dhe kanë vendosur me dëmtu ekonominë. Pres prej tyne me reflektu, s’është pozicion i duhur, nuk zgjidh kurrgjë hiç”, shtoi ai.
Çka lexoi mbrëmë nga qëndrimi i ME-së, Muharremi e jep si “pozicion mbrojtës, protektiv…mbrojtën veten dhe KEK-un”.
Hykmete Bajrami i njëjtëson Qeverinë dhe ZRrE-në kur fjala është te shtrenjtimi i rrymës.
Rikujton se në 2022’ën ajo zyrë kishte pranuar komentet e qeverisë por jo edhe të opozitës, në këtë rast, të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Në vitin 2022 grupi parlamentar i LDK-së pat dërgu komente në ZRRE dhe ka kërku që të mos rritet çmimi, duke propozuar një nga masat largimin e TVSH-së, por të vetmet propozime në atë kohë që janë pranu nga ZRRE kanë qënë ato të qeverisë e të cilat patën rezultuar me dyfishim ta tarifave, ku një pjesë u pagua përmes subvencionimit e pjesa tjetër drejtëpërdrejtë nga qytetarët dhe bizneset”.
Nga Ministria e Ekonomisë, në komunikatën e natës vonë, aty u fol se qëndrimi i tyre është për rritje por jo për rritjen sa synohet – “që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh”.
Për Muharremin “shpërndarja e barrës në njëfarë mëyre, nuk bën asnjë zgjidhje”.
“Ata çka kanë propozu është me shkaktu valë të re inflacioni, me pas absolutisht rritje, dhe janë mundu m’i mbrojtë disa shtres – por e kanë bë gabimisht se ato shtresa e varfna kanë mundësi ligjore me kërku ndihmë nëse puna është keq”.
“Ideja është që me rujt ekonomine dhe mos m’e kriju valë të inflacionit, që thjesht nuk e kanë. Literalisht propozimi i tyre është i padrejtë, dhe e shkatërron ekonominë, nuk ka ndhmon. Shpërndarje e barrës në njëfarë mënyre, por asnjë zgjidhje nuk e kanë bë”, na tha ai.
Janina Ymeri, zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sheh edhe një mal pasaktësisht në shkrimin arsyetues të natës vonë nga Ministria e Ekonomisë.
Të dhënat që ME përdori në arsyetimin e vet, për më tepër, i sheh demantueshme nga vetë Agjencia e Statistikave të Kosovës.
“Përveç që ministria flet me të dhëna të pasakta dhe manipuluese, në vend se të fajësohen qytetarët për mbingarkesën në sistem, institucionet duhet të përballen me faktin se trendi i importit po rritet, ndërsa kapaciteti vendor mbetet në rreth vicioz.
Politikat tarifore nuk duhet të zëvendësojnë zhvillimin, nuk duhet te jenë ikje apo mbrojtje për punën e pa bërë qe 4 vjet”, tha Ymeri në një përgjigje për Nacionale.
Atë çka ministria e argumentoi për rritjen e tarifës mbi 800kWh, Ymeri e sheh jashtë adresimit real të problemit: që janë mungesa e zhvillimit në prodhimin vendor dhe energji të ripërtërishme.
“Trendi i importit të energjisë është në rritje, përjashtuar viti i pandemisë. Konsumi i amvisërisë vazhdon të jetë shumë më i lartë se i sektorit industrial, çka tregon që janë familjet – jo industria – që mbajnë barrën kryesore të sistemit”.
“Argumentimi për rritjen e tarifës mbi 800 kWh si mjet menaxhimi është diskriminues dhe nuk adreson problemin real: mungesën e zhvillimit në prodhimin vendor dhe energji të ripërtëritshme”, tha mes tjerash ajo.