Në këmbim të mbështetjes, Kosova rrezikon të bëhet “vend burgu dhe strehimi”

Pa debat publik dhe me pak transparencë institucionale, Kosova po negocion dhe po zbaton marrëveshje me disa shtete perëndimore për burgje dhe menaxhim të migracionit, duke ngritur shqetësime për pasojat afatgjata në siguri, të drejta të njeriut dhe imazh ndërkombëtar.

Marrëveshja me Danimarkën për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit është ratifikuar në Kuvend më 23 maj 2024 dhe parasheh transferimin e rreth 300 të burgosurve danezë në Kosovë nga viti 2027, për një periudhë 10-vjeçare. Në këmbim, Kosova pritet të përfitojë mbi 200 milionë euro. Ndërkohë, bisedime po zhvillohen edhe me Belgjikën për iniciativa të ngjashme në fushën penale, si dhe me Mbretërinë e Bashkuar për një qendër të mundshme për azilkërkuesit e refuzuar.

Qeveria e Kosovës i ka arsyetuar këto nisma si pjesë të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe afrimit me aleatët perëndimorë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është e gatshme të ndihmojë partnerë si Britania e Madhe në menaxhimin e migracionit, duke theksuar se vendi nuk është burim i migrimit.

Megjithatë, ekspertë të fushës shprehin shqetësime. Sociologu Artan Mustafa vlerëson se këto politika pasqyrojnë një kthesë iliberale në Perëndim dhe rrezikojnë ta shndërrojnë Kosovën në “territor pritës” për problemet e të tjerëve, duke dëmtuar reputacionin e saj. Sipas tij, mungesa e debatit publik dhe transparencës e bën këtë qasje edhe më problematike.

Edhe Ramadan Ilazi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë paralajmëron se marrëveshje të tilla mund të krijojnë perceptimin e Kosovës si “koloni penale” e Europës, duke dëmtuar dinjitetin dhe pozitën e saj si partner i barabartë. Ai thekson se përfitimet financiare afatshkurtra nuk duhet të zëvendësojnë një strategji të qëndrueshme për integrim euroatlantik.

Bisedimet me Belgjikën dhe Mbretërinë e Bashkuar ende nuk janë bërë publike në detaje, ndërsa institucionet kosovare dhe qeveritë partnere nuk kanë dhënë përgjigje të plota për pyetjet e ngritura nga mediat dhe shoqëria civile. Në këtë kontekst, thirrjet për debat të hapur dhe analizë të plotë të kostove e përfitimeve për qytetarët e Kosovës po shtohen. /Kallxo.com