Në katër muajt e parë të këtij viti Kosovën e lanë 47 mjekë

Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një vale të largimit të qytetarëve nga Kosova për të kërkuar një jetë më të mirë në vendet e huaja. Kosovës po i ikin edhe profesionistët shëndetësorë, kryesisht kuadri i ri. Brenda një viti nga Kosova u larguan rreth 158 profesionistë shëndetësorë.

Kushtet e punës dhe mungesa e specializimeve janë arsyet kryesore që po detyrojnë profesionistët shëndetësorë të largohen nga Kosova dhe të shkojnë në vende perëndimore, vlerësojnë në Odën e Mjekëve.

Vetëm gjatë këtij viti Kosovën e braktisën 47 profesionistë shëndetësorë.

Për Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë shkuarja e mjekëve nga Kosova në perëndim është shqetësuese. Por, thonë se ky largim i mjekëve ka qenë i pritur.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se mjekët nuk kanë arsye të largohen nga Kosova pasi që sipas tyre mjekët kanë pagat më të larta rajon dhe kushte të mira të punës.

Ata zotohen se gjatë këtij viti do të ndërmarrin hapa që do t’i përmirësojnë edhe më shumë kushtet e punës në mënyrë që profesionistët shëndetësor mos ta shohin Perëndimin si vendpunësim./TV 21/