Nga 9 deri më 18 shkurt, në Dhomat e Specializuara do të shpalosen fjalët përfundimtare të prokurorisë dhe ekipeve mbrojtëse në rastin më të madh të Speciales. Të hënën dhe të martën pritet deklarata përmbyllëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe e Mbrojtësit të Viktimave.
Të mërkurën fjalën përfundimtare e nis mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, e një ditë më vonë edhe ajo e Rexhep Selimit. Krejt në fund të javës, të premten, fjala përfundimtare e mbrojtjes së ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Avokati Artan Qerkini ka treguar se edhe trupi gjykues mund ta shfrytëzojë dyorëshin e planifikuar për të marrë sqarime nga palët.
“Prokuroria do të mundohet që ta bind gjykatën që akuzat e tyre janë të bazuar në fakte dhe prova. Natyrisht mbrojtja do ta dëshmojë të kundërtën, pra prokuroria do t’i referohet provave të cilat ajo i ka administruar. Një gjë të tillë do ta bëjë edhe mbrojtja sepse kështu e ka procedura kontradiktore në bazë të parimit le të dëgjohet edhe pala tjetër. Po ashtu, mos të harrojë që ta them edhe që trupi gjykues ka të drejtë që të kërkojë sqarime nga palët, nëse në fjalët përfundimtare palët kanë lënë diçka të paqartë apo se trupi gjykues e ka të paqartë ndonjë qëndrim juridik, qoftë të prokurorisë qoftë të mbrojtjes. Trupi gjykues ka të drejtë që të kërkojë sqarime”, tha Qerkini.
Avokati i akredituar nga Specialja tregon se rasti për krime lufte dhe krime kundër njrëzimit është kompleks, andaj edhe nuk pret që gjykata do të dalë me aktgjykim para qershorit.
“Nuk besoj se trupi gjykues do të ketë mundësi që para qershorit ta bëjë shpalljen e aktgjykimit sepse procesi ka qenë mjaft voluminoz, kur them voluminoz e kam për numrin e madh të dëshmitarëve por edhe numrin e madh të provave materiale të cilat janë shqyrtuar në proces gjyqësor. Gjykata nuk ka vendosur gjatë procedurës për pranueshmërinë apo pa pranueshmërinë e provave sepse në ankesat e mbrojtjes vazhdimisht ka sjellur vendime se gjykata në fillim do të vlerësojë se një provë a është e pranueshme apo e pa pranueshme dhe do t’i shqyrtojë vetëm ato prova të cilat mendon ajo që janë të pranueshme”, tha Qerkini.
Blendina Veliqi, monitoruese e gazetare në Institutin e Kosovës për Drejtësi thotë se procesi është zgjatur meqë të akuzuarit janë në paraburgim që prej nëntorit të 2020-ës.
“Ky rast është zgjatur tej mase. E kemi thënë edhe ne si IKD që edhe paraburgimi ndaj tyre për pesë vite ka qenë i paarsyeshëm sepse ata vetë u janë dorëzuar drejtësisë. Megjithatë mund të themi se në këtë rast janë administruar një numër i madh i provave, janë dëgjuar një numër i madh i dëshmitarëve. Megjithatë, ne presim që trupi gjykues të bëjë vlerësimin e duhur të secilës provë dhe të secilit dëshmitar, në mënyrë që të reflektohet pastaj edhe në vendimin final”, deklaroi Veliqi.
Më 17 shkurt, kur Kosova e feston ditëlindjen e saj të 18-të, si dhe një ditë para përmbylljes së paralajmëruar të gjykimit është paralajmëruar marsh paqësor nga organizata joqeveritare “Liria ka emër” në Prishtinë për të shprehur mbështetje për katër të akuzuarit në Hagë. Protesta janë organizuar edhe më herët – në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Hagë dhe Strasburg, raporton koha.
“Liria ka Emër” njofton dhe njëkohësisht fton qytetarët e Kosovës në marshin në të madh që ka parë ndonjëherë vendi ynë, një marsh paqësor, dinjitoz dhe gjithpërfshirës, një marsh për drejtësi dhe jo politikë. Një marsh jo kundër dikujt, por dinjitetin e Kosovës, për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë”, tha Ismail Tasholli, drejtor i OJQ-së “Liria ka Emër”.
Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.










