Gjithmonë ishte menduar dhe supozuar, por kurrë nuk ishte gjetur një provë e qartë nëse njerëzit modernë jetonin në Kosovë 40 apo 50 mijë vjet më parë. Kësaj dileme, tani i ka ardhur fundi.
Sipas zbulimeve më të reja arkeologjike të bëra në rajonin e Drenasit nga Universiteti i Tübingen-it në Gjermani dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës, tashmë është vërtetuar ky fakt historik.
“Po, jemi plotësisht të kënaqur. Gjetëm atë që po kërkonim. Ju thashë që po kërkonim njerëzit më të hershëm që jetonin në Kosovë ndoshta rreth 50,000 vjet më parë – dhe e kemi gjetur atë!”
– Prof. Dr. Harald Floss, arkeolog, Universiteti i Tübingen, Gjermani. Se në cilin fshat apo lokacion të Drenasit janë bërë këto gjetje historike, Floss nuk jep shumë detaje, por thotë:
“Nuk mund të futem në detaje, por mund të them se është në rajonin e Drenasit, ku kemi gërmuar një vend të hapur – pra jo në shpellë – dhe aty gjetëm artefakte për të cilat mund të them se mund të jenë rreth 50–60 mijë vjet të vjetra. Kjo është ajo që saktësisht po kërkonim. Ky është një lajm shumë i rëndësishëm. Nuk është keq.”
Të gjitha këto zbulime, sipas Luan Gashit, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës, do të publikohen shumë shpejt, dhe janë financuar nga Ministria e Kulturës.
“E kemi zbuluar periudhën e Paleolitit – për herë të parë në Kosovë. Jo në shpellën e Radacit, por diku tjetër krejt,” – thotë Luan Gashi.
Këtë rrëfim ekskluziv mund ta ndiqni të plotë në emisionin “KREJT KAPAK” me Milotin, vetëm në Klan Kosova.