Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut bëjnë të ditur se sot informacionet për armë i kanë marrë nga qytetarët.
Armët janë gjetur në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në fshatrat Banov Do dhe Prevlak, transmeton Paparaci.
Njësitë policore kanë kryer kontroll në një shtëpi të pabanuar, ku janë gjetur katër pushkë, tre radio-lidhje, një kamerë, 223 fishekë të ndryshëm, uniforma ushtarake si dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Në një shtëpi tjetër ku policia ka kryer kontroll, është gjetur dhe konfiskuar një pushkë dhe tre fishekë. Nga Policia bëjnë të ditur se për pushkën nuk kishte leje.
“Në këtë lokacion është hasur personi M.R. (1972), i cili është shoqëruar në stacionin policor ku është marrë në pyetje, ndërsa pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, është lënë në liri, ndërkohë që ndaj tij do të zhvillohet hetim për veprën penale ‘Mbajtje e paautorizuar e armëve’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia më tej shton se në një shtëpi të pabanuar është gjetur armë me shenjën AK-47, si dhe tre karikatorë, 88 fishekë për armë të gjata dhe një granatë dore M75 (e prodhimit jugosllav). “Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), të cilat në mënyrë të kontrolluar kanë larguar mjetin shpërthyes”, thuhet më tej në njoftim.
Njësitë policore, gjatë kontrollit në një tjetër shtëpi të pabanuar, kanë gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47 dhe 19 fishekë.
Rasti i pestë lidhet gjithashtu me një objekt të pabanuar. Në atë shtëpi, sipas tyre, është gjetur një pushkë M48 (e çmontuar), një pushkë gjuetie dhe 33 fishekë.
Gjatë kontrollit në një hambar, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar mekanizmin e një arme të gjatë M-48, një thikë – bajonetë, si dhe uniforma ushtarake (nuk është theksuar se kujt i përkasin).
“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale ‘Mbajtje, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’”, thuhet nga Policia e Kosovës, e cila njëkohësisht shpreh falënderim ndaj qytetarëve për informacionet e dhëna./Paparaci.com









