Në betejë me kancerin por pa terapi, pacientët e Onkologjisë sigurojnë barnat vet

Me hyrjen në Klinikën e Onkologjisë, dhimbja e sfida nuk vjen vetëm nga diagnoza.

Sfidat vazhdojnë të rëndohen për pacientët e diagnostikuar me kancer kur barnat esenciale për trajtim, duhet të sigurohen vet.

E njëjta po ndodhë tash e disa muaj në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.

Mungesa më e madhe, sipas pacientëve është e medikamentit “AVASTIN”, i përdorur si terapi e cila synon të ndalojë rritjen e tumoreve.

E çmimi i saj në treg prek mijëra euro.

”Është në mungesë “Avastini” edhe është edoksancistopllateko. Nuk e marrë këtë të dytën për momentin po po tregojnë mikeshat që nuk ka. Terapinë që e marr më kushton 1000-1100 euro. Po më ndihmojnë tjerët me i bo paratë. Për një dozë, çdo dy javë. Plus e kam “Zymetin” e marr çdo dy mujë. Ajo herë është, herë jo.  Qe 10 vite trajtohem, në fillim kanë qenë po tash jo”, ka thënë Violeta Memaj, paciente në Klinikën e Onkologjisë.

Shqetësime mbi mungesën ka shprehur shoqata “Ia vlen të jetosh” e udhëhequr nga Valbona Kastrati që dikur përballej vet me këtë sëmundje.

Përpos mungesës, për Kastratin mbetet edhe heshtja e institucioneve karshi kësaj problematike.

”Nëse një pacienti i vonohet terapia për dy muaj, kjo është e rrezikshme për to sepse kanceri nuk pret por vepron. Unë apeloj te MSH dhe Instituti Onkologjik që të marrin hapa urgjent për këtë problem që po zhvillohet. Kërkoj me ngulm të dalin me një komunikatë se ku qëndron arsyeja se pse medikamentet në klinik janë mangu ndërsa në barnatore ato medikamente gjinden por çmimin e kanë tepër të lartë.. Mundem me thanë lirisht që nuk kërkojmë mëshirë, kërkojmë mbështetje njerëzore. Shteti duhet të jetë afër nesh, jo të na lë pas. Sepse jeta s’kthehet prapë e unë kam humbur tre gra në shoqatën time sepse sëmundja e kancerit, të detyron të jesh i fortë materialisht”, ka thënë Valbona Kastrati, e mbijetuar me kancer.

Të tjerë që para afro dy viteve trajtoheshin në këtë klinikë thonë që mungesa ka qenë e përhershme e për këtë ka shkuar të kërkoj trajtim në Tiranë.

”Sa jam trajuar në QKUK, ka pasur mungesë, ka qenë karboklatina, ka shkuar përherë me zëvendësime diçka që e kam pasur të ndaluar nga onkologu im i Tiranës, prapë nuk e kam marrë sepse nuk doja zëvendësime. E kam blerë vet. Por tash mungojnë shumica, për të mos thënë të gjitha. Kam shoqe plot që na ka bashkuar sëmundja dhe më kanë treguar. Dikush po shpenzon deri në 10 mijë euro, shkojnë 1600-2000 për një dozë një tri javë. Nuk kanë mungesë sepse në Tiranë, më janë ofruar të gjitha, mungesë s’ka asnjë. Çmimin e kanë të njëjtë me shoqen time që në Kosovë, e blen çdo javë. Minimumi i bëhet 1600. Kërkesa ime për institucionet është të furnizohen shpejtë sepse duke ditur që neve na duhet shumë, si nga ana e mjekimit si te e ushqyerit për një pacient të onkologjisë, kushtojnë shumë. Së paku barnat të jenë të ofruara nga institucionet shtetërore mos ta kemi dertin se si të mbledhim paratë për blerjen e një terapie”, ka thënë Leoreta Fondaj, e diagnostifikuar me kancer të gjirit.

Nga Klinika e Onkologjisë nuk kanë preferuar të deklarohen duke udhëzuar televizionin të drejtohet tek zyra për informim në SHSKUK. Por as kjo e fundit, nuk i është përgjigjur televizionit./Dukagjini.com/.