Në ambientet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), sot u realizua një aksion humanitar dhe vullnetar për dhurimin e gjakut, në bashkëpunim me ekipet profesionale të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Me dhjetëra zyrtarë nga selia qendrore dhe zyrat rajonale të AKP-së iu përgjigjën kësaj nisme humane, duke dhuruar gjak në shenjë solidariteti dhe përkushtimi për të ndihmuar pacientët që kanë nevojë për gjak.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut dhe është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të AKP-së për të kontribuar në çështje me rëndësi shëndetësore dhe sociale për komunitetin. Numri i pjesëmarrësve në këtë aksion është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit, që e dëshmon edhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë humanitare në kuadër të institucionit.
AKP falënderon Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesionalizmin e treguar, si dhe shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë zyrtaret dhe zyrtarët që me vullnet dhe përgjegjësi dhuruan gjak , duke dhënë shpresë dhe shpëtuar jetë.